KMDLNj: Nga kriza, të rrezikuar përfituesit e skemës sociale e pensionistët
Rtklive
Foto: RTKlive
Kosovë

KMDLNj: Nga kriza, të rrezikuar përfituesit e skemës sociale e pensionistët

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se në këtë kohë krize përfituesit e ndihmës së skemës sociale dhe pensionistët janë tejet të rrezikuar derisa masat e ndërmarra nga Qeveria sipas këtij Këshilli janë simbolike.

E si shkak i krizës dhe inflacionit në rritje KMDLNj thotë se janë edhe grevat që kanë kaluar 20 ditë prej kur filluan.

 “Për shkak të krizës ekonomike dhe me kërkesë të rritjes së pagave apo ndarjes së mjeteve shtesë deri në rritje të pagave, SBASHK -u ka organizuar një grevë duke e lënë procesin e arsimit të bllokuar më shumë se 20 ditë. Edhe administrata është në grevë duke bllokuar në masë të madhe ofrimin e shërbimeve në komunën e Prishtinës. Sindikalistët shëndetësorë kanë paralajmëruar grevë sikur edhe sindikatat që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e të punësuarve në sektorin privat” thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Tutje sipas këtij Këshilli greva e SBASHK-ut, ndonëse është në përputhje me ligjin dhe mandatin që e ka, në mënyrë të drejtpërdrejtë i shkelë të drejtat e nxënësve të të gjitha niveleve për faktin se ua pamundëson vijimin e procesit mësimor.

“Për këtë arsye KMDLNj , që nga fillimi ka deklaruar se greva është mjet dhe mundësi e skajshme dhe, gjithashtu ka deklaruar se nuk janë përdorur të gjitha mundësitë për parandalimin e grevës e cila ka qenë e paralajmëruar para, së paku 8 muajve. Qeveria është dashur t’i paraprijë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje e që nuk e ka bërë”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj –së, ata që janë më të rrezikuarit dhe që kanë arsye të bëjnë grevë janë pensionistët dhe përfituesit e ndihmave të skemës sociale.


MË SHUME NGA Kosovë