Qytetarët të painformuar për punën e ndërmjetësuesve|Video
Rtklive
Kosovë

Qytetarët të painformuar për punën e ndërmjetësuesve|Video

Driton Ramadani/ RTKlive

Për mosmarrëveshje të ndryshme të cilat në shumë raste bëhen lëndë e Gjykatave në Kosovë,qytetarët kanë mundësinë që jo domosdoshmërisht t`i drejtohen Gjykatës, pasi ato mund të zgjidhen nga ndërmjetësues të licencuar bazuar në ligjin për ndërmjetësim. Por shumë qytetarë janë të painformuar lidhur me këtë mundësi ligjore, andaj edhe në nivel vendi ka nisur një fushatë informuese.

Disa mosmarrëveshje të palëve mund të zgjidhen edhe pa I ndjekur procedurat gjyqësore. Kjo gjë mundësohet nëpërmjet të drejtave të palëve në procedurën e ndërmjetësimit. Këtë javë në Ferizaj është duke u zhvilluar fushata informuese mbi këtë të drejtë

“Sa i përket ndërmjetësimit ne funksionojmë që nga viti 2011. Jemi të licencuar nga Ministria e Drejtësisë, efektet janë të dukshme, interesimi i qytetarëve është i mirë, përparësitë e ndërmjetësimit siç vijojnë për 90 ditë, palët mund t’i zgjidhin problemet pa procedura të ndërlikuara të Gjykatës. Marrëveshjen të cilin e arrin përmes ndërmjetësimit, ajo shkon në gjykatë, vërtetohet dhe palët ndahen të kënaqura”, thotë Isuf Salihi, ndërmjetësues.

Por, për këtë procedurë qytetarët nuk kanë shumë njohuri.

“Sa i përket ndërmjetësimit kemi pak njohuri për zgjidhjen e problemeve familjare dhe civile, por me shpërndarjen e këtyre fletushkave krijuam njohuri të reja që mundemi të zgjidhim probleme komerciale dhe penale” , tha Burhan Salihu

“Për besë unë rastësisht kalove kësaj rruge, u ndala për të parë, nuk kam qenë i njoftuar. Di rrjedhën e njoftimit se si dhe qysh rrjedh dhe përherë të parë e pashë edhe këtë broshurë lidhur me çështjen e ndërmjetësimit”, tha Ymer Hajrizi.

“Rreth këtij shërbimi për herë të parë tani po e dëgjojë. Sa po marr njohuri nga kjo informatë, besojë se është e mirë në dobi të qytetarëve”, tha Ismet Behluli.

Fushata informuese për procedurën e ndërmjetësimit do të zhvillohet në gjithë vendin dhe do të përfundojë më 26 shtator të këtij viti.


MË SHUME NGA Kosovë