Qytetarët kërkojnë të shpeshtohen ditët pa makina
Foto: RTKlive
Kosovë

Qytetarët kërkojnë të shpeshtohen ditët pa makina

Albulena Bytyqi / Radio Kosova

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit. Qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova thanë se e përkrahin këtë ditë dhe se sipas tyre, përdorimi më i rrallë i makinave do të ndikonte në përmirësimin e ambientit dhe mbrojtjen e ajrit.

Në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon t’i vetëdijesojë njerëzit që të shmangin përdorimin e makinave, qytetarët në Kosovë mendojnë se do të ishte mirë që kjo praktikë të jetë më e shpeshtë në Kosovë, e kryesisht në kryeqytet, kur dihet se Prishtina është e stërngarkuar me qarkullim të makinave, gjë që po ndikon në cilësinë e ajrit. 

“Natyrisht në i përkrahim reduktimin e përdorimit të makinave për shkak të ambientit, mbrojtjes së ajrit, kursimit etj. Pa makina kish me qenë ditë perfekte, por edhe ambienti do të ishte më i mirë e sidomos në Prishtinë ku ajri është katastrofë. Ditë pa makina do të ishte shumë më mirë dhe do duhej të ketë më shpesh organizime tilla. Kisha për të pasur liri më shumë të dal me biçikleta, s’kisha qenë i rrezikuar dhe ambienti do të ishte shumë më i pastër”, thonë qytetarët.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në  Ditën Ndërkombëtare pa Makina, u  ka bërë thirrje qytetarëve që ta përdorin më shumë trafikun urban dhe t’i shmangen përdorimit të makinave. 

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, ju lus të gjithëve që ta përdorin trafikun urban e i cili është sot pa pagesë, po ashtu shikoni mundësinë të përdorni biçikleta, i-skuter i-biçikleta e po ashtu të ecni këmbë. Jemi duke i liruar hapësirat publike që t’ua mundësojmë këmbësorëve të ecin mirë, të lirë e sigurt”, deklaroi Rama.

Po ashtu në këtë ditë, Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, organizojnë aktivitet me fëmijë të shkollave fillore më qëllim mësimin bazik të ngasjes së biçikletës duke u referuar në shenjëzimin adekuat dhe rregullat themelore të ngasjes.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë