Jasharaj: Urojmë që qeveria ta ndryshojë qasjen e gabuar
Rtklive
Kosovë

Jasharaj: Urojmë që qeveria ta ndryshojë qasjen e gabuar

Albana Bajrami/ Radio Kosova

Edhe pas takimeve të mbrëmshme ndërmjet sindikalistëve evropianë që ishin në Kosovë për të gjetur një zgjidhje lidhur me grevën, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Ndërkohë, anëtarësia e sindikatave të Kosovës janë duke komunikuar se si do të dilet nga kjo situatë. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën, Qeveria nuk ua ka dhënë as mundësinë për të diskutuar rreth ndryshimit të kërkesës së sindikalistëve.

Greva në sektorin publik dhe arsim po vazhdon edhe sot, ndërsa ende nuk dihet se kur do të arrihet një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se janë në komunikim të vazhdueshëm me anëtarësinë në të gjitha nivelet, për të parë se çfarë hapash do të ndërmerren për ditët në vijim.

 “Këshilli Grevist i SBASHK-ut dhe Këshilli Grevist i Shërbyesve Civilë, janë në takime të vazhdueshme me anëtarësinë. Do të shohim në të ardhmen se çfarë do të bëhet në bashkëpunim me anëtarësinë. Uroj që qeveria të ndryshojë qasjen e gabuar. I mbetet anëtarësisë të vendosë dhe atë që e thotë anëtarësia greviste, këshillat grevistë janë të obliguar ta respektojnë”, deklaroi Jasharaj.

Për sa i përket mundësisë së ndryshimit të kërkesës së sindikalistëve, për të dalë nga kjo situatë, Jasharaj tha se nuk mund të flasë për ndryshim të kërkesës, pasi kanë pritur nga Qeveria që të bëjë lëvizje pozitive.

 “Nëse Qeveria do të na thoshte se është e prirë për të lëvizur dhe do të kërkonte nga ne mirëkuptim, atëherë ne do t’i drejtoheshim anëtarësisë për një lëvizje nga shuma që e kemi përmendur, mirëpo Qeveria ka qenë e prerë “atë që themi ne dhe pikë”. Prandaj nuk e kemi hapur këtë temë. Këtë mundësi për të debatuar me anëtarësinë, nuk na e ka lënë të mundur Qeveria”, shtoi ai.

Për reagimet dhe protestat e prindërve që të fillojë procesi mësimor, Jasharaj iu ka bërë thirrje atyre që t’i drejtohen Qeverisë, pasi sipas tij, vetëm Qeveria mund të lëvizë për të dalë nga kjo situatë.


MË SHUME NGA Kosovë