6 muaj pa Kryeprokuror të Shtetit, presidentja nuk dekreton Isufajn|Video
Rtklive
Foto: RTKLive
Kosovë

6 muaj pa Kryeprokuror të Shtetit, presidentja nuk dekreton Isufajn|Video

Donika Sherifi/RTK

Janë bërë më shumë se gjashtë muaj pa kryeprokuror të shtetit. Shoqëria civile dhe ekspertët e çështjeve të drejtësisë, kërkojnë nga presidentja Osmani që të procedojë me zgjedhjen e kryeprokurorit, pasi kjo çështje ka mbetur në dorën e saj. Këshilli Prokurorial kishte propozuar Blerim Isufajn për kryeprokuror, mirëpo këtë vendim e kundërshtuan dy kandidatë të tjerë të cilën lëndën e dërguan në Gjykatën Kushtetuese.

Janë bërë më shumë se gjashtë muaj që kur pozita e kryeprokurorit të shtetit ka mbetur e zbrazët. Këtë detyrë po e ushtron Besim Kelmendi.

E dekretimi ose jo i kryeprokurorit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufaj është në dorën e presidentes Vjosa Osmani.

Ajo nuk ka marrë vendim për këtë as pas refuzimit të ankesës nga Kushtetuesja të kandidatëve Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, të cilët  e kundërshtuan propozimin e Isufajt për kryeprokuror.

Nga zyra e Presidentes kanë thënë shkurt se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, e që sapo të marrin vendim do të bëjnë të ditur.

Ndërkohë, monitoruesit e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit thonë se presidentja tanimë do të duhej të merrte vendim për propozimin e Isufajt për këtë pozitë.

“Në këtë drejtim deri më tani mund të them se Zyra e Presidentes e ka pasur një arsye për të vonuar këtë proces për arsye se e ka analizuar rastin, ka marrë informata nga grupet e interesit dhe nga vet Këshilli Prokurorial i Kosovës”, thotë Ehat Miftaraj, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

“Ne besojmë që tanimë ka ardhur koha kur presidentja duhet ta marrë një vendim lidhur me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, e sheh të panevojshme vonesën e presidentes për dekretimin e kryeprokurorit të ri.

“Vendi asesi nuk duhet të mbetet pa Kryeprokuror të Shtetit në një kohë aq të gjatë, sepse kjo është pozitë shumë e ndjeshme dhe është pozitë sipas hierarkisë institucionale, mjaft  e lartë”, thotë Bugaqku për RTK-në.

“Edhe Kushtetuta kërkon që menjëherë të procedohet dhe të rregullohet çështja e emërimit dhe dekretimit të tij”.

Bugaqku shprehet se  nuk është njësoj kur e ke personin adekuat që është emëruar sipas procedurave të rregullta dhe prandaj, aktualisht duke u udhëhequr kjo pozitë nga një ushtrues detyre, nuk beson se siguron efikasitet të vet zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas organizatave që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, ky proces kishte shumë parregullsi dhe shkelje, për çka i kanë dërguar edhe komentet e tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ndaj këtij procesi kishin reaguar edhe ambasada britanike e gjermane si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyera me procesin.


MË SHUME NGA Kosovë