Kurti: Masakra e forcave serbe mbi civilët në Abri, totale dhe çnjerëzore
Foto: Arkiv
Kosovë

Kurti: Masakra e forcave serbe mbi civilët në Abri, totale dhe çnjerëzore

N. Mekolli /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar se sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm.

“Për t’i evidentuar dhe kujtuar, në masakrën e Abrisë u vranë nga forcat serbe:Fazli Deliu (1904)

Pajazit Deliu (1929)

Ali Deliu (1930)

Sherif Deliu (1931)

Hava Deliu-Elshani (1936)

Hamide Deliu (1938)

Mihane Deliu (1943)

Habib Deliu (1944)

Hysen Deliu (1946)

Zeçir Deliu (1954)

Hajriz Deliu (1964)

Adem Deliu (1965)

Lumnije Deliu (1969)

Zahide Deliu (1971)

Luljeta Deliu (1971)

Mihane Deliu (1982)

Antigona Deliu (1984)

Jeton Deliu (1988)

Gentiana Deliu (1990)

Donjeta Deliu (1991)

Mendohije Deliu (1993)

Valmir Deliu (1996)

Diturije Deliu (1998)

Çdo vit më 26 shtator, në përvjetorët e masakrës së Abrisë, kujtohem që 23 të vrarët e kësaj masakre nuk mund të përkujtohen pa Imer Deliun, familjarin e gjallë të tyre që jeton mes nesh. Është ai që na ka rrëfyer me shumë dinjitet atë çfarë ndodhi më 26 shtator 1998, ashtu siç ai i pa kur i gjeti kufomat e familjarëve dhe të afërmëve të tij të masakruar nga trupat serbe”, tha. Që nga atëherë, dëshmia e Imer Deliut ka mbetur pa u marrë në shqyrtim nga drejtësia ndërkombëtare dhe ende askush nuk është akuzuar për masakrën e Abrisë”, shkruan Kurti.

Kryeministri, tutje përkujton se e dëshmuar edhe nga media ndërkombëtare, masakra e Abrisë është një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

“Fotografia e Valmir Deliut djaloshit 2 vjeçar të masakruar, që atë kohë qe botuar nga disa media botërore, sot mund të censurohet nga mediat sociale, aq pamje të rëndë që përmban. Edhe e vetmja e mbijetuar e asaj dite, foshnja 6-javëshe Diturije Deliu që për orë të tëra kishte mbetur e mbytur në gjakun e nënës së saj, do të vdiste dy muaj më pas, më 19 nëntor 1998”, thotë Kurti.

Në postimin e tij, thotë se trashëgimia e luftës së Kosovës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj ne nuk harrojmë dhe do të punojmë për njohjen e gjithë historisë së luftës së Kosovës dhe adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë.

“Lavdi martirëve të masakrës së Abrisë dhe i përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta!”, shkruan Kurti.

Foto nga Facebook


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle