Për një vit 10 raste të reja të fëmijëve të braktisur
Kosovë

Për një vit 10 raste të reja të fëmijëve të braktisur

Albana Bajrami /Radio Kosova

Sipas një raporti të muajit gusht 2022,  gjatë këtij viti deri tani janë raportuar 10 raste të reja të fëmijëve të braktisur, ndërsa gjithsej janë 25 fëmijë të braktisur në Kosovë. Fëmijët e braktisur aktualisht janë në sistem të mbrojtjes institucionale përmes formave të mbrojtjes juridike, familjare e sociale.

Ndërkohë, sipas këtij raporti, janë 132 kërkesa aktive për adoptim vendor dhe 6 kërkesa për adoptim ndërkombëtar. Shqetësues mbetet fakti që fëmijët me aftësi të kufizuara, refuzohen nga familjet potenciale adoptuese.

Për sa i përket rasteve të fëmijëve të braktisur, në bazë të Raporteve nga Qendrat për Punë Sociale Komunale të vendit, gjatë këtij viti, deri më tani janë raportuar 10 raste të reja të fëmijëve të braktisur. Në vitin 2021, në bazë të Raportit Vjetor Janar-Dhjetor 2021, janë regjistruar 15 raste të fëmijëve të braktisur. Magbule Koci, zyrtare e lartë për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur në Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën ka thënë se fëmijët e braktisur, aktualisht janë në sistem të mbrojtjes institucionale përmes formave të mbrojtjes juridike, familjare e sociale. Ajo ka bërë të ditur se 25 fëmijë janë të braktisur, 22 janë në strehim familjar, një fëmijë në SOS Fshatin e Fëmijëve, që është në procedurë për adoptim ndërkombëtar, një është në Shtëpinë e Fëmijës në Shtime dhe një është në Qendrën Klinike Universitare. Koci, ka theksuar se nga 25 fëmijët e braktisur 10 janë me aftësi të kufizuara, prej tyre 8 janë në strehim familjar, një është në SOS fshatrat e fëmijëve dhe një është në Shtëpinë e Fëmijës në Shtime.

“Fëmijët me aftësi të kufizuar, janë më status ligjor të zgjidhur dhe potencial për adoptim jashtë vendit, ngaqë adoptimi vendor është treguar i pasuksesshëm, edhe përkundër përpjekjeve të qendrave për punë sociale kompetente për të identifikuar familje potenciale adoptuese vendore nga Regjistri i familjeve adoptuese”, ka thënë Koci.

Ajo theksoi se për këta fëmijë, edhe adoptimi jashtë vendit shpeshherë është i pasuksesshëm, ngaqë refuzohen nga familjet potenciale adoptuese, të cilave iu propozohen, me arsyetimin që nuk janë në gjendje të adoptojnë fëmijët e diagnostikuar me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, numri i kërkesave për të adoptuar fëmijë është i madh. Koci, bëri të ditur se sipas raportit të muajit gusht 2022, në kuadër të Regjistrit të familjeve adoptuese, janë 132 kërkesa aktive për adoptim vendor dhe 6 kërkesa për adoptim ndërkombëtar.

Ndërkohë, vetëm në Komunën e Prishtinës janë rreth 30 familje që janë duke pritur për adoptim. Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në këtë Komunë, Vebi Mujku, tha për Radio Kosovën se numri i kërkesave është më i madh se sa i fëmijëve të braktisur.

“Familjet duhet të presim me vite, për shkak të mungesës së fëmijëve të braktisur dhe fëmijëve me status të zgjidhur. Prandaj edhe numri i familjeve që presin nga viti 2015 e tutje vazhdon të jenë në listë. Për këtë arsye kemi siguruar që të kemi edhe familje strehuese për fëmijët e braktisur që kanë nevojë për një strehim më afatgjatë. Në Komunë e Prishtinës, për momentin i kemi dy familje, të cilat janë të trajnuara dhe të aprovuara për ofrimin e  shërbimeve për fëmijët pa kujdes prindëror”, tha ai.

Mujku, tha se këtë vit në Prishtinë kanë pasur katër raste të fëmijëve të braktisur. Ndërsa, theksoi se është një numër relativisht i madh i fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të cilët është problem të gjendet familje adoptuese.

“Janë rreth pesë fëmijë vetëm në Komunë e Prishtinës, të cilët janë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe për të cilët kemi problem shumë të madh të gjejmë familje adoptuese të cilët do t’i marrin në përkujdesje të përhershme. Ndërsa, fëmijë të shëndoshë i kemi vetëm katër, të cilët janë në pritje të zgjidhjes së statusit të tyre dhe të jenë të gatshëm për adoptim”, tha Mujku

Procedura e adoptimit fillon me kërkesën e palëve të interesuara në Gjykatën Themelore kompetente në bazë të vendbanimit të tyre. Gjykata, kërkesën e adreson në Qendrën për Punë Sociale kompetente me qëllim të vlerësimit profesional mbi përshtatshmërinë e prindërve potencialë adoptues. Periudha e vlerësimit të prindërve potencialë adoptues, në bazë të legjislacionit në fuqi zgjat deri në tre muaj. Me Raportin e vlerësimit profesional, qoftë ai pozitiv apo negativ, Qendra për Punë Sociale duhet ta njoftojë Gjykatën Themelore, e cila e ka adresuar kërkesën për vlerësim. Qendra është e obliguar po ashtu që të njoftojë edhe Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë përgjegjëse me të gjitha kërkesat për adoptim, me qëllim që zyrtari përgjegjës në këtë departament t’i evidentojë familjet potenciale adoptuese në Regjistrin Gjeneral të familjeve, Regjistër i cili është unik në nivel vendi. Familjet e vlerësuara si potenciale adoptuese dhe të evidentuara në Regjistrin Gjeneral, trajtohen me radhë, në bazë të datës së aplikimit. Familjet potenciale adoptuese, i nënshtrohen pritjes deri sa t’iu vijë radha sipas datës së aplikimit.

Pritja e familjeve potenciale adoptuese, që nga momenti i aplikimit deri te propozimi i fëmijës potencial për adoptim, varion afërsisht nga 3-5 vjet, varësisht edhe nga numri i fëmijëve potencialë për adoptim.                                                                                                                                                                                                                          


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle