Spahija: Mungesa e anesteziologëve, pagat e ulëta e volumi i madh i punës
Kosovë

Spahija: Mungesa e anesteziologëve, pagat e ulëta e volumi i madh i punës

Albulena Bytyqi/Radio Kosova

Mungesa e anesteziologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka bërë që shumë pacientë të presin me orë të tëra, madje edhe t’u shtyhen terminët për operacione si mungesë e anesteziologëve. Që ka mungesë të tyre e pranon edhe drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija.

Mungesa e Anesteziologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po i detyron pacientët të presin me orë të tëra që të marrin shërbim nga ta. Këtë pritje e dëshmon edhe një nënë, e cila kishe pritur në Repartin e Radiologjisë, anesteziologun për t’i ofruar shërbim.

Shqipe Berisha tha për Radio Kosovën se ka pritur me orë të tëra disa herë për ekzaminime me foshnje në duar. Sipas saj gjithmonë ka pasur vonesa të anesteziologut, sa herë që ka shkuar për ekzaminim në repartin e Radiologjisë.

“Djalin 8 muaj e kam operu, dhe sa herë kam ardhë me i bë ekzaminimet në QKUK që i kanë kërkua mjekët para se me shti në operacion. Kemi prit me orë të tëra në radiologji, anesteziologun me ardhë. Fëmija ka qenë i vogël edhe kërkoje me pi gji, anesteziologu vonohej me pi s’kisha drejt me i dhanë, shumë problem ka qenë. Ish mungesë e tyre edhe ata pak çka ishin s’po vinin me kohë, fëmija e vegjël s’presin operacionet terminët po janë të caktuara. Shumë keq duhet me bë një zgjidhje. I bëj apel Ministrisë së Shëndetësisë që të bëjë një zgjidhje për sa i përket anesteziologëve që mos të këtë vonesa të tilla qysh kam pritur unë”, tha një qytetare.

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija, mungesën e anesteziologëve e arsyeton me moshapjen e specializimeve, pagat e ulëta dhe volumin e madh të punës.

“Nuk ka anesteziolog sepse nuk janë hap specializimet që nga viti 2016, për ata është mungesë e anesteziologëve. Ikja e anesteziologëve është edhe për shkak të pensionimit të tyre dhe kryesisht për shkak të ofertës më të mirë të sektorit privat për ata edhe ata po ikin. Në privat kanë pagë më të mirë, disa herë më të madhe dhe kujdestari me pak“, tha drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija.

Spahija tutje thotë se në vitin 2019 kanë pas 64 anesteziologë. Prej vitit 2020 deri me tani punën e kanë lënë 22 anesteziologë. Ndërsa sipas tij 120 anesteziologë duhet të jenë në QKUK për t’i krye nevojat e pacientëve.


MË SHUME NGA Kosovë