Vazhdon ose pezullohet greva, kuptohet të premten pasdite
Jeton Musliu/RTKlive
Pritet që nesër të mblidhen të gjitha rezultatet nga votimi që janë duke bërë mësimdhënësit dhe punëtorët e administratës, për ta kuptuar nëse greva në arsim dhe administratë, do të pezullohet deri në janar apo e njëjta do të vazhdojë.
Ali Gashi nga Këshilli Grevist, në një deklarim në emisionin informativ “Lajmet e Fundit” në RTK, u shpreh se edhe më tej janë në pritje të rezultateve, për të vendosur pastaj nëse greva në arsim dhe administratën publike, do të pezullohet deri në janar.
“Këto rezultate, Këshilli Grevist i SBASHK-ut dhe i administratës publike, do t’ia dorëzojnë Këshillit Grevist të BSPK-së dhe ata do të dalin me qëndrim”, thotë Gashi për RTK.
“Nuk i kemi të dhënat e sigurta se sa për qind e grevistëve kanë votuar, por nesër ndoshta pasdite, do të dilet me qëndrim bazuar në rezultate”.

“Presim edhe ditën e nesërme”, tha Gashi, sipas të cilit, në këtë situatë, nuk ka as fitues dhe as humbës.
“Ne jemi qytetarë të Kosovës. Sindikatat dhe Qeveria janë të Kosovës. Kush humbi e kush fitoi, figurativisht të themi është një lojë”, tha ai.
Sidoqoftë, Gashi tha se mbi të gjitha janë qytetarë, nxënësit dhe shërbimet që duhet të kthehen.
“Ne si sindikata e kemi vlerësuar këtë situatë dhe e qartësojmë se nuk kemi të bëjmë me ndërprerje të grevës, por pezullim deri në janar, që të kemi dialog të mirëfilltë që të trajtojmë të gjitha çështjet”.
Ai u shpreh se Qeveria e ka obligim të bëjë zgjidhje për të gjitha hallet e qytetarëve.
“Kur ka vullnet Qeveria, grevat janë të pamundshme, sepse nëse Qeveria me kohë do t’i kuptonte drejt kërkesat e sindikatave, atëherë nuk do të kishim fare greva”, tha ai.
“Por kur nuk merren parasysh kërkesat, atëherë zënë vend grevat”.
Gashi më tej u shpreh se është i befasuar nga deklarimi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, se nëse greva vazhdon, atëherë do nxënësit do të çregjistrohen nga shkollat publike.
“Këshilli i Prindërve e di qartë se ofrimi i arsimimit është përgjegjësi e Qeverisë. Jam i befasuar se si ata nuk i bëjnë presion Qeverisë, por sindikatave”, tha Gashi.
“Këto janë diskutime të pamatura. Të gjitha palët duhet të kontribuojnë që të dilet nga kjo situatë”.























