Miratohet buxheti, më 2023 Gjilani do t’i ketë mbi 32 milion
Foto: Kuvendi Komunal-Gjilan
Kosovë

Miratohet buxheti, më 2023 Gjilani do t’i ketë mbi 32 milion

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot propozim-buxhetin për vitin 2023 në shumë prej 32 milionë e 599 mijë euro. Ndryshe nga ky vit, më 2023 kjo komunë do të ketë rritje të buxhetit për 3.5 milionë. Opozita komunale në Gjilan nuk mori pjesë fare në seancë.

Në këtë seancë të Kuvendit Komunal ku i pranishëm ishte edhe kreu i Komunës, Alban Hyseni në rend dite kishte edhe pika të tjera, por që me propozim të kryesuesit  Arianit Sadiku aty u shqyrtua vetëm buxheti derisa pikat tjera mbetën të diskutohen në seanca të tjera kuvendare.

Riad Rashiti, drejtor i Financave, ka thënë se miratimi i buxhetit për vitin 2023 është hap i rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit.

Buxheti për vitin 2023, në shumë prej 32,599,281 euro, është për 3.5 milionë më i madh krahasuar me vitin aktual.

Sipas njoftimit nga Komuna e Gjilanit, ky buxhet sigurohet nga granti qeveritar - 27,646,695 euro dhe të hyrat vetjake - 4,952,586 euro.

Nga kjo shumë, për subvencione janë planifikuar 1,195,000 euro, ndërkaq për investime kapitale - 8,435,158 euro, ka thënë Rashiti.

Për më tepër, Rashiti tha se buxheti komunal për vitin 2023, është i orientuar në tri aspekte: zgjidhjen e problemeve elementare infrastrukturore, në projekte zhvillimore, si dhe në realizimin e projekteve në bashkëfinancim me donatorë të ndryshëm.

Rashiti ka thënë se investimet kapitale të planifikuara për vitin 2023 bazohen në kërkesat, nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Gjilanit, të cilat janë evidentuar nëpër dëgjime publike.

 LVV e PDK, nëpërmjet Shefave të Grupeve të këshilltarëve i kanë dhënë mbështetje këtij propozim-buxheti.

Opozita (LDK, AAK, Vatra, LS) nuk kanë marrë pjesë në seancë, pasi një ditë më herët kishin braktisur atë në shenjë mospajtimi me rendin e ditës si dhe thirrjen e seancës së re, pa u mbyllur seanca paraprake.

Kuvendi Komunal i Gjilanit seancat i transmeton online edhe në gjuhën e shenjave, në mënyrë që edhe personat me probleme dëgjim, të kenë mundësi të ndjekin punën e vendimmarrësve komunalë.     

 


MË SHUME NGA Kosovë