Agjencia e Kosovës për Akreditim bëhet anëtare “afiliate” e ENQA-s
Foto: AKA
Kosovë

Agjencia e Kosovës për Akreditim bëhet anëtare “afiliate” e ENQA-s

Fadil Sertolli / RTKlive

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka pranuar të hënën, më 3 tetor 2022, një letër nga drejtoresha e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover me të cilën konfirmohet se është pranuar aplikacioni i Agjencisë së Akreditimit për Statusin anëtar “affiliate”.

“Kam kënaqësinë t'ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t'i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim Naim Gashi.

Në njoftimin që ka marrë drejtori Gashi thuhet se nga dita e sotme Agjencia e Kosovës për Akreditim mund ta përdor logon e ENQA në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj, brenda territorit të Kosovës por edhe në komunikim ndërkombëtar.

“AKA konsideron se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi. Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje në njoftim thuhet se Agjencia e Akreditimit i falënderon për përkrahje institucionet e Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, komunitetin e donatorëve, për këtë të arritur të përbashkët.

Me vendimin e sotëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.


MË SHUME NGA Kosovë