Gjatë ditës çerdhet publike hapën dyert për fëmijët|Video
Kosovë

Gjatë ditës çerdhet publike hapën dyert për fëmijët|Video

Ahmet Maholli / RTK

Greva u pezullua edhe në administratë dhe çerdhe publike. Kjo u prit mirë nga prindërit dhe qytetarët të cilët thonë se greva u ka shkaktuar telashe në kujdesin ndaj fëmijëve dhe në marrjen e shërbimeve në administratë.

Prindërit e kanë mirëpritur fillimin e punës nëpër institucionet parashkollore, duke thënë se pamundësia për t’i dërguar fëmijët në kopshte, ka ndikuar edhe në punën e tyre e po ashtu edhe te fëmijët, pasi që nuk kishin se ku t’i dërgonin.

Mimoza Salihaj, prind tha se është lehtësim, ‘për neve që punojmë, sepse është dashur t’i angazhojmë të tjerët për t’u kujdesur për fëmijët”.

Drejtoresha e institucionit parashkollor, “Yllkat”, thotë se ky kopsht ka filluar t’i pranojë fëmijët me kohë duke iu kthyer normalitetit.

“Për neve ka qenë e mirëpritur për arsye se I jemi rikthyer jetës në kopsht, edukimit në përgjithësi dhe kishim dashur që këto të përfundojnë dhe të mos përsëriten më, ngase e di se janë dëmtuar jashtë mase edhe prindërit as edukatoret”, tha Rifadije Sopi, drejtoreshë e insititucionit parashkollor, “Yllkat”.

“Vijueshmëria është sikurse që ka qenë para grevës, me rregull është hapur, të gjitha edukatoret janë në vendin e punës jemi furnizuar me materiale, është bërë dezinfektimi”, tha ajo

Grevën e ka pezulluar edhe sektori i administratës në komunën e Prishtinës.

Bersant Beka, drejtor i Administratës në komunën e Prishtinës tha se kanë filluar menjëherë për t’i kryer shërbimet të cilat i kemi pasur të limituara, ndërsa disa shërbime i kemi kryer që kanë qenë në urgjencë.

“Nga sot është mundësuar që të gjitha shërbimet që të kryhen, sidomos te sektori I gjendjes civile dhe ai I shërbimit me qytetarë kanë filluar që të punojnë që të gjithë”, tha ai.

Qytetarët të cilët kishin shkuar në komunën e Prishtinës për të marrë shërbime thonë se gjithçka shkoi mirë, pavarësisht të disa telasheve të vogla.

Drejtori i Administratës së Komunës së Prishtinës, Bersant Beka, ka kërkuar nga qytetarët që shërbimet e tyre t’i kryejnë edhe nëpër bashkësi lokale në mënyrë që të mos ketë ngarkesë në komunë.


MË SHUME NGA Kosovë