Shkaku i grevës, kalendari shkollor 2022/23 pritet të këtë ndryshime
Foto: RTKLive
Kosovë

Shkaku i grevës, kalendari shkollor 2022/23 pritet të këtë ndryshime

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Ministria e Arsimit pasdite do të publikojë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor 2022/23 për 22 ditët e humbura të mësimit. Ndërkohë Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve janë kundër zëvendësimit të orëve mësimore. E njohës të çështjeve të arsimit janë skeptikë në rezultatin që sjellin orët e kompensuar.

Për shkak të grevës në institucionet publike arsimore, janë humbur mijëra orë mësimore. Se a do të kompensohen ose jo orët e humbura,  Ministria e Arsimit pritet sot pasdite të publikojë Kalendarin e rishikuar. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci.

Ndërkohë, Sindikata e Arsimit është kundër zëvendësimit të orëve mësimore për të cilën po thonë se nuk është obligim ligjor.

Kundër grevës është shprehur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Jeton Demi, kryetar i këtij këshilli, i tha Radio Kosovës se janë kundër zëvendësimit për arsye se po krijohet çrregullim komplet i planifikimit të jetës së fëmijëve dhe prindërve.

 “ Jemi kundër që komplet procesi  normal i rregullimit të jetës së prindërve dhe fëmijëve të çrregullohet. Dhe krejt të ndodhë për shkak të një greve që e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë të padrejtë e që ua mohon fëmijëve të drejtën elementare për edukim dhe arsimim publik”, tha Demi. 

E, njohës i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se kompensimi i orëve është i rëndësishëm po se efikasiteti i tyre është në pikëpyetje.

” Zëvendësimi i orëve se sa është efikas, kjo është ajo pikëpyetja e madhe të cilën na e kemi ngritur që nga fillimi dhe na është dëshmuar edhe nga e kaluara. Një orë e zëvendësuar të shtunave ose gjatë pushimeve pranverore dhe verore në as një moment nuk është  e barasvlershme në përkushtim e vëmendje sikurse në një orë të rregullt”, tha Qehaja.

Kalendari i vitit shkollor 2022/2023 përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor, pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe festat publike për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar. Pas grevës, e cila zgjati një muaj, ky kalendar pritet të këtë ndryshime.

 


MË SHUME NGA Kosovë