Qeveria e SBASHK-u paralajmërojnë njëra-tjetrën për pagat
Foto: Ilustrim
Kosovë

Qeveria e SBASHK-u paralajmërojnë njëra-tjetrën për pagat

Albana Bajrami / Radio Kosova

Edhe sot nuk janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit. Ndërkohë, Sindikata e Arsimit pret që ato të ekzekutohen deri më 5 tetor, në të kundërt do të ndërmarrin masa të tjera. Për këtë çështje, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ndërsa, Këshilli i Prindërve ka deklaruar se nëse nuk jepen pagat e shtatorit për mësimdhënësit, do të mbledhin fonde për ta.

Mësimdhënësit vazhdojnë të jenë pa paga për muajin shtator, ndërsa sindikalistët po presin që deri nesër të ekzekutohen ato. Sindikata e Arsimit, ka deklaruar se nëse ato nuk ekzekutohen deri më 5 tetor, atëherë do të ndërmarrin masa të tjera.

Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ky vendim është hakmarrje ndaj sindikatës, ndërsa siç tha, qeveria ka shkelur ligjin. Ai deklaroi se do të vendosë anëtarësia për veprimet e mëtutjeshme.

 “Do ta pyesim anëtarësinë. Greva nuk është mbyllur por është pezulluar. Është shantazh dhe thikë pas shpinës ndalja e pagave, që duke shkelur ligjet, mundohet të zbehë sindikatat”, thotë Jasharaj.

Ndërkohë, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit. Kryetari i Këshillit, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se nëse nuk jepen pagat e shtatorit për mësimdhënësit, do të mbledhin fonde për ta.

 “Ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit”, deklaron Demi për Radio Kosovën.

Për çështjen e pagave, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Përmes një postimi në facebook, ajo ka thënë se ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHT-it nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se kanë diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer.

Sipas Nagavcit, nuk ka pasur vëmendje e kujdes në këtë drejtim, derisa ka thënë se ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva, janë nxënësit.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi. Ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Kompensim do të ketë  për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle