ShSKUK kundërshton orarin e ri, nuk është konform rregullores
Kosovë

ShSKUK kundërshton orarin e ri, nuk është konform rregullores

Fadil Sertolli / RTKlive

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës shprehet i shqetësuar me zhvillimet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, pas shpalljes të orarit të mësimit nga menaxhmenti i fakultetit.

Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se ky orar nuk është konform rregullores së re të nxjerr nga organi më i lartë të Universitetit të Prishtinës, Këshilli Drejtues, të miratuar me 22 shtator 2022.

“Mbajtja e mësimit me numër të grupimeve në kundërshtim me rregulloren e re është sinjal që FM po kundërshton hapjen e kësaj njësie akademike për stafin akademik meritor. Ne si SHSKUK i jemi gëzuar rregullores të re nga Këshilli Drejtues i UP, sepse përmes saj do të rregullohet afatgjatë problemi me mungesën e stafit akademik me titull të profesorit në klinikat dhe institutet e SHSKUK”, thuhet në komunikatë.

ShSKUK i referohet statutit të QKUK, nenit 12, sipas të cilit, “klinikat nuk mund të themelohen pa pasur profesorë”.

“Në situatën e rëndë të krijuar në vitet e fundit, shumë prej klinikave të QKUK rrezikojnë funksionimin për shkak të mungesës të profesorëve”, thuhet më tej në komunikatë.

Klinikat dhe institutet e SHSKUK, sipas të të njëjtës informatë, kanë staf akademik meritor të mjaftueshëm për t’u zgjedhur në pozitën e profesorit, “prandaj situata e krijuar është absurde (sepse stafi meritor ekziston) por e rrezikshme (sepse e vështirëson funksionimin e klinikave si njësi të pavarura nga mungesa e avancimit të stafit meritor”.

Në këto kushte, thuhet në komunikatë, SHSKUK është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj përmes infrastrukturës të cilën e ka në dispozicion për realizimin e veprimtarisë arsimore sipas rregullores të re të miratuar nga Këshilli Drejtues i UP.

“Kërkojmë nga organet kompetente në UP që të marr masat e nevojshme sipas rregullave në fuqi për të zbatuar rregulloren e re në praktikë në Fakultetin e Mjekësisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën nga ShSKUKS-së.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë