SBASHK kundërshton paralajmërimin për mundësinë e zëvëndësimit të orëve
Foto: RTKLive
Kosovë

SBASHK kundërshton paralajmërimin për mundësinë e zëvëndësimit të orëve

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Një Grup Punues brenda Ministrisë së Arsimit po punon që të ndryshojë kalendarin shkollor, kur bëhet fjalë për 22 ditët e humbura të këtij viti shkollor sa mësimdhënësit ishin në grevë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ky publikim i kalendarit të ri do të bëhet sot, derisa ka premtuar dialog social me parime e korrektësi.

“Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka thënë ajo.

Derisa Ministria e Arsimit ka kërkuar që ky kalendar të respektohet nga të gjithë, drejtuesi i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se nuk mund të ketë kompensim pa një marrëveshje.

Ai për RTKlive tha se nuk janë pjesë e Grupit Punues dhe nuk do të bëhen pjesë e tij, derisa këtë e ka quajtur goditje nga ministrja Nagavci.

“Sa i përket orëve të humbura edhe këtu është një goditje e keqe e ministres Nagavci për të krijuar atmosferë edhe më të tendosur. Në vend se që të luftojë që mësimdhënësit të kenë pagat e pastaj të ulemi të bisedojmë”, ka thënë Jasharaj.

Tutje Jasharaj thotë se me kontratën kolektive orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen.

“Vitin e kaluar kur filloi viti shkollor më 27 shtator për shkak të COVID-it, ne bashkëpunuam dhe dërguam mesazh pozitiv te anëtarësia, tash nuk ka marrëveshje, ka urdhër. Me marrëveshjen kolektive orët e humbura në grevë nuk kompensohen përveç një marrëveshje të përbashkët. Këtu nuk ka marrëveshje e ne do të bazohemi në kontratën kolektive. Si mund t’i kërkojmë mësimdhënësve ta mbajnë mësimin pa pagë e t’i kompensojnë edhe orët e humbura në grevë?”, ka pyetur Jasharaj.

Kundër zëvendësimit të orëve qysh nga fillimi i grevës janë shprehur Këshilli Prindërve të Kosovës të cilën vazhdimisht kanë deklaruar se do të bojkotojnë zëvendësimin e orëve të grevës.


MË SHUME NGA Kosovë