Disa deputetë të shumicës kërkojnë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit
Foto: RTKLive
Kosovë

Disa deputetë të shumicës kërkojnë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Jeton Musliu/RTKlive

Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të ndryshëm, si ministrja e Arsimit, zëdhënësi i Qeverisë apo edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, e bëri të qartë se do të paguhen për muajin shtator, vetëm ata mësimdhënës që kanë punuar dhe nuk kanë qenë pjesë e grevës.

Një veprim të tillë, ekzekutivi e arsyeton në ligj. Por me një vendim të tillë, nuk është se po pajtohen edhe disa deputetë të shumicës në Kuvendin e Kosovës.

Kështu, deputeti Alban Bajrami nga LVV, ka bërë thirrje  për ekzekutim të pagave për mësimdhënësit grevistë.

Ai ka kërkuar që Qeveria të bëjë ekzekutimin e pagave si dhe të gjejë alternativë për kompensimin e orëve të humbura gjatë mbajtjes së grevës, raporton RTKlive.

Në anën tjetër, edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka deklaruar se pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit.

 “Pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, orët e humbura duhet të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor”, ka deklaruar ai, raporton RTKlive.

E thirrjes për ekzekutim të pagave u është bashkuar edhe deputetja nga lista “Guxo”, që është në koalicionin qeverisës me LVV-në, Jeta Statovci si dhe bashkëpartiaku i saj, Haxhi Avdyli.

 “Unë kam qenë kundër manipulimit të nxënësve dhe të arsimtarëve për qëllime politike, kundër gjuhës që sindikalistët kanë përdorur e që ishin më motive politike, por vendimin për ndërprerjen e grevës e kam përshëndetur”, deklaroi deputeti Avdyli në emisionin “Lajmet e Fundit” në RTK.

Sot gjatë ditës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se; “kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.

 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle