Truss: Britania dhe Kosova në një linjë
Foto:Twitter
Kosovë

Truss: Britania dhe Kosova në një linjë

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë qartazi në një linjë në shumë fusha dhe ka mundësi të mëdha që dy vendet tona të punojnë së bashku edhe për më së afërmi.

Kështu ka deklaruar kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Siç thuhet në njoftimin për media lëshuar nga Qeveria e Kosovës, kryeministrja Truss ka falënderuar kryeministrin Kurti për letër urimin e dërguar më 6 shtator, si dhe për ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të Madhërisë së saj të ndjerë, Mbretëreshës Elizabetë II.

Ajo po ashtu ka shprehur kënaqësinë për dy takimet me kryeministrin Kurti gjatë këtij viti, kur ishte Sekretare e Jashtme.

“Mbretëria e Bashkuar ishte krenare për ndihmën dhënë Kosovës në sigurimin e pavarësisë së saj, dhe që ishte vendi i parë që njohu formalisht pavarësinë e saj në vitin 2008”, ka shkruar kryeministrja britanike, e cila thotë më tej në njoftim, se “do të vazhdoj ta përcjellë Kosovën me interes të madh ndërsa ecni përpara me procesin tuaj të reformës”.

Ndryshe në letrën e urimit që kryeministri Kurti i kishte dërguar kryeministres britanike pas zgjedhjes së saj në postin e shefes së qeverisë, kishte falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e madhe që i kishte dhënë Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës, sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës", kishte shkruar Kurti.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle