Osmani kërkon përshpejtim të liberalizimit të vizave
M.Shefkiu/ RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nevojën e përfundimit sa më parë të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nevojën për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Këtë deklaratë presidentja Osmani e ka bërë në takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Këtë të fundit, Osmani e ka takuar në kuadër të takimeve gjatë pjesëmarrjes në Komunitetin Politik Evropian në Pragë, thuhet në një komunikate lëshuar nga Presidenca.
Presidentja Osmani ka përsëritur përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me Greqinë në çështjet me interes të ndërsjellë.
Ndryshe, Greqia është njëri nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por që ka njohur dokumentet kosovare.























