Opozita në Lipjan ankohet se Janjeva është lënë anash nga komuna|Video
Ahmet Maholli- RTK
Opozita në komunën e Lipjanit po ankohet se kryetari Imri Ahmeti e ka lënë anash qytezën historike, duke mos bërë investime që konsiderohen jetike për banorët e Janjevës. Por, zyrtarët e Komunës thonë se ka investime, varësisht nga mundësitë buxhetore dhe me organizatat e huaja.
Opozita në Lipjan ka akuzuar qeverisjen e udhëhequr nga kryetari Imri Ahmeti se e ka anashkaluar qytezën e Janjevës, duke mos bërë investime publike për t’i përmirësuar kushtet e jetesës. Sipas tyre, në këtë qytezë historike nuk janë rregulluar as rrugët, as kanalizimi e as ujësjellësi, gjë që ka ndikuar edhe në largimin e banorëve nga ky lokalitet, thotë opozita.
Edhe infrastruktura rrugore është e dëmtuar, por kjo ka ndodhur edhe për shkak të punimeve që janë bërë gjatë hapjes së pusit, por edhe në vazhdimësi disa rrugica nëpër lagje të ndryshme janë të paasfaltuara.
Zyrtarët e Komunës së Lipjanit thonë se nuk është lënë anash Janjeva, dhe si komunë po përpiqen të bëjnë investime duke bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare.
“Ne kemi bërë një memorandum mirëkuptimi edhe me UNDP në fushat e interesit të përbashkët, ku do të jetë infrastruktura në ujësjellës dhe kanalizim dhe ujësjellës, UNDP-ja përfshin edhe pjesën e qendrës historike të Janjevës, mirëpo duke marrë për bazë kërkesat e qytetarëve për ta përmirësuar mirëqenien e tyre, ne si komunë kemi aplikuar edhe për fonde shtesë në ministri për t’i përfshirë pjesën e mbetur ku UNDP nuk e përmbushë”, tha për RTK Hyra Bytyqi, zëdhënëse e komunës së Lipjanit.
Por, opozita mendon ndryshe.
“Absolutisht nuk i ka paraparë ujësjellësin dhe kanalizimin ose edhe mungesën e rrymës që përballen banorët, por që komuna ka kërkuar që t'I ndërrohet destinacioni një pjese të shumës që të investohet në ujësjellës dhe rrugë, që këto mjete parashihen të jenë krejt për diçka tjetër”, tha Shahadije Bikliqi, asamblistë e LVV-së, Lipjan.
Zëdhënësja Bytyqi megjithatë thotë se do të shqyrtohen mundësitë për investime.
“Jemi në shqyrtim të mundësive buxhetore për të proceduar tutje për t'i rregulluar këto rrugë që kanë mbetur të dëmtuara për shkak të sistemit të ujësjellësit që është dashur të instalohet për së dyti”, tha për RTK Hyra Bytyqi, zëdhënëse e komunës së Lipjanit.
Përderisa zyrtarët e Komunës premtojnë se do t'i kenë prioritet investimet në këtë zonë, opozita thotë se banorët e Janjevës këto investime ndoshta do të mund t'i shohin tek në vitet 2024-2025 kur është edhe fushata zgjedhore.























