Kodheli në Prishtinë: Të vëmendshëm ndaj ndërhyrjeve ruse në rajon
ATSH
Delegacioni i përhershëm parlamentar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, nën kryesimin e Mimi Kodhelit mori pjesë në seminarin Rose Roth të organizuar në Prishtinë.
Tema e këtij seminari ishte “Integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.
Në fjalën e saj, Kodheli kërkoi një vëmendje të shtuar për sa i përket ndikimit rus në rajon.
“Ballkani Perëndimor ka një histori jo të lehtë dhe të pasur me konflikte. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve të jemi të vëmendshëm ndaj ndërhyrjeve që vijnë nga ana e Rusisë nëpërmjet shteteve mike që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.
Në ndërhyrjen e tij deputeti Bardhyl Kollçaku përgëzoi qeverinë e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e saj për paqen e sigurinë në rajon.
Në vijim ai theksoi nevojën për një vëmendje të shtuar ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve jo tradicionale si sulmet kibernetike, hibride, spiunazhi, ndërhyrjet e huaja nëpërmjet financimeve të paligjshme të partive politike, medias sociale si dhe shoqërisë civile.
Gjatë tre ditëve të seminarit ishin të ftuar përfaqësuesit më të lartë të politikës së Kosovës, duke filluar me mikpritësin, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, Presidenten e Republikës Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, disa prej ministrave të kabinetit qeveritar pjesëmarrës në panele të ndryshme, ekspertë të fushës si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u fokusua në agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që ky agresion ka shkaktuar në sigurinë globale.
Konjufca tha se e gjithë bota demokratike është mobilizuar dhe organizuar për ta konfrontuar këtë invazion të papranueshëm ushtarak të Rusisë, i cili po shoqërohet edhe me aneksimin më të madh të territorit qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, shtoi Konjufca, agresioni rus nuk e frikëson botën demokratike. Përkundrazi, sipas tij, ajo është unifikuar si kurrë më parë pas vitit 1989, për ta frenuar ekspansionizmin ushtarak rus.
Duke marrë fjalën në seminar, Presidentja Vjosa Osmani tha se ajo përfaqëson një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, përderisa ishin sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria që sollën deri tek liria e fituar me gjak e me djersë.
Presidentja Osmani tha se pjesëmarrësit e këtij seminari vijnë në vendin dhe në kohën e duhur për shkak se adresohen më shumë se sa perspektiva të ardhshme.
Më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë morën pjesë në këtë seminar tre ditor në Prishtinë.























