PDK themelon Këshillin Politik, organ këshillëdhënës
BKT
Foto: PDK
Kosovë

PDK themelon Këshillin Politik, organ këshillëdhënës

Fadil Sertolli / RTKlive

Në 23 vjetorin e themelimit të partisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me vendim të Kryesisë, ka themeluar sot Këshillin Politik, një organ këshillëdhënës i partisë.

Përmes një njoftimi për media, nga PDK thuhet se Këshilli Politik ka 31 anëtarë, ndërsa përbëhet nga koordinatori dhe 30 anëtarë të Partisë.

Anëtarët e Këshillit, janë personalitete që kanë kontribuar në Partinë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, në pozicione dhe kapacitete të ndryshme, si deputetë, kryetarë komunash, ministra, themelues të partisë, etj.

Në mbledhjen konstituive të Këshillit Politik, kryetari Krasniqi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Këshillit për punën e tyre që nga themelimi i partisë e deri sot, ndërsa i ka ftuar që përvojën e tyre politike të vazhdojnë ta japin tani nëpërmjet punës në Këshillin Politik, për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Në këtë ditë të shënuar të 23 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, po konstituojmë edhe Këshillin Politik, i cili është një organ këshillëdhënës statutar i PDK-së dhe që përmbledhë një numër të jashtëzakonshëm të personaliteteve të rëndësishme të të gjithë rrugëtimit të PDK-së, të cilët që nga themelimi e tutje, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar, institucional e politik në detyra të ndryshme udhëheqëse brenda PDK-së, por edhe në institucionet e nivelit qendror dhe nivelit lokal. Për mua ishte vërtetë një ndjenjë e nderit të madh, sepse kam punuar me shumë prej tyre dhe ruaj respektin dhe konsideratën maksimale duke e ditur nga dora e parë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.”, tha Krasniqi thuhet në njoftim.

Ndërsa, koordinatori i Këshillit Politik, Arsim Bajrami u shpreh falënderues për besimin e dhënë në udhëheqje të këtij organi, i cili do ta këshillojë dhe ndihmojë lidershipin e partisë.

“Si një prej themeluesve të parë të PDK-së, jam jashtëzakonisht i nderuar me propozimin e kryetarit dhe kryesisë për të qenë pjesë e Këshillit Politik, sidomos në këtë kohë kur udhëheqja e re dhe lidershipi i partisë është duke punuar jashtëzakonisht mirë në reformimin e partisë për të kompensuar edhe mungesën e madhe të dy liderëve, themelues dhe historikë”, theksoi Bajrami.

Kompetencat e Këshillit Politik të PDK-së, sipas të të njëjtit njoftim, do të ndihmojë organet qendrore të partisë me këshilla, rekomandime, analiza dhe ide, të prodhojë dokumente për nevoja të partisë, të jep rekomandime për përmirësimin e akteve juridike të partisë dhe mënyrës së funksionimit efikas.

Ndryshe, koordinator i Këshillit Politik do të jetë akademik Arsim Bajrami.


MË SHUME NGA Kosovë