Kryeministri flet për ish ministrin Latifi: Punoi sa pati mundësi
J.Musliu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, u deklarua sot në Gjilan, në lidhje me dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Ai tha se Latifi ka dhënë dorëheqje nga ajo pozitë dhe se i njëjti nuk është shkarkuar.
Një deklarim të tillë, kryeministri Kurti e bëri sot në Gjilan, në një konferencë për media.
Atje pati takim me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.
Gjatë kësaj konference, kryeministri Kurti e ka falënderuar ish ministrin Latifi për punën dhe angazhimin që ka treguar për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë.
“Ai nuk ka kursyer as dijen, as përvojën dhe as kontaktet ndërkombëtare”, tha Kurti.
“Për dhjetë muaj, ka bërë krejt çfarë ka mundur, mirëpo ai nuk është një person që nuk reflekton edhe mbi punën e vet”.
Kurti tha se doktor Rifat Latifi është një akademik, profesionalisht i shkëlqyeshëm dhe ka vlerë të madhe edhe në akademitë perëndimore, jo vetëm tek ne.
“Andaj, unë do të vazhdoj komunikimin dhe bashkëpunimin me të, por jo në këtë detyrë me vullnetin e tij, pra nuk ekziston asnjë projekt që ai ka nisur e që ne do ta ndalim”.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dha dorëheqje të premten nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.























