Në 23 vjetorin e partisë, PDK mban konventën e Rinisë
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës në 23 vjetorin e themelimit ka mbajtur Konventën e hapjes së zgjedhjeve në Rininë Demokratike. Kryetari i PDK-së, Memli Kransiqi ka shkruar se Konventa në këtë 23 vjetor të partisë u mbajt për të lidhur trashëgiminë politike edhe me të ardhmen.
“Trashëgimia jonë e pasur, edhe 23 vite më parë kishte nisur nga disa të rinj e të reja, të cilët kishin vizion, qëllim, vullnet e guxim për tu prirë proceseve më të rëndësishme të shtetndërtimit’, ka shkruar kreu i PDK-së.
Sipas tij, më shumë se kurrë, Kosova ka një tjetër rrugë të rëndësishme para vetes, të cilës siç ka shkruar mund t’i përgjigjet Rinia Demokratike e Kosovës.
“Prandaj, dua t’i ftoj sonte të gjithë ata që e kanë moshën e angazhimit politik, që të na bashkohen në këtë rrugë, të afrohen me ne, të bëhen pjesë e zgjedhjeve të RDK-së, e që të gjithë së bashku, ta hapim kapitullin e ri që i duhet sot më shumë se kurrë, Kosovës tonë!”, ka shkruar Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Më herët gjatë ditës PDK-ja themeloi Këshillin Politik, si organ këshillëdhënës i partisë në të cilin Këshill bëjnë pjesë 31 figura të PDK-së të prirë nga Arsim Bajrami si koordinator.
























