Mehaj e Hokanson biseduan për situatën sigurisë në vend e rajon
M.Miftari/RTKlive
Në vazhdën e takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, sot u pritën në takim edhe nga Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, njëherazi këshilltari ushtarak i Presidentit dhe i Sekretarit të Mbrojtjes, gjeneral Daniel R.Hokanson.
Në këtë takim u bisedua rreth arritjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimin me kuadro në aspektin profesional, suksesin e treguar në bashkë zbarkimin në Kuvajt, si dhe në ushtrimin fushor “DEFENDER EUROPE '21”.
Po ashtu, u bisedua rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, si dhe kontributin që mund të ofrojë FSK dhe qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, si partnere e besueshme e SHBAsë. Në situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, ministri Mehaj shprehu edhe njëherë gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit, deminimit, si dhe mbështetjen e pakursyer në misione humanitare për transportimin e ndihmave si dhe refugjatëve ukrainas, ashtu siç për muaj të tërë është asistuar në misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëveafganë. Në anën tjetër gjeneral Hokanson, premtoi vazhdimin e bashkëpunimit përmes Programit të Partneritetit Shtetëror, ndërinstitucional, në fushën ushtarake dhe në sferat tjera.
“Stërvitjet e përbashkëta me Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përvojë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa pjesëmarrja e FSK-së misione humanitare dhe paqeruajtëse jashtë vendit është obligim ndaj njerëzimit, lirisë së pamohueshme dhe aleancës ndërmjet popujve për të ruajtur paqen dhe sigurinë e përgjithshme”, theksoi ministri Mehaj me këtë rast.
Tutje ai shtoi se FSK do të jetë gjithmonë përkrah ushtrisë amerikane.























