Mungesa e librit të gjuhës shqipe|Video
Elmine Osmani/RTK
Që nga 8 tetori kur edhe filloi mësimi me një muaj vonesë, në shumë shkolla të vendit ende mungon libri i lëndës së Gjuhës Shqipe. Për këtë shkak mësimdhënësit po detyrohen të gjejnë alternativa.
Edona Bajraktari, e cila është mësuese në shkollën “Eqrem Çabej” tha se mungesa e këtij libri po u shkakton vështirësi si mësimdhënësve ashtu edhe nxënësve.
"Jemi në javën e dytë të procesit mësimor librat e gjuhës shqipe ende nuk kanë ardhur dhe kjo për neve po paraqet një sfidë goxha të madhe. Duhet çdo ditë të bëjmë kopje duke marrë d.m.th. materiale duke ia përshtat plan-programit", deklaroi Edona Bajraktari, mësimdhënëse.
Bajraktari thotë se Ministria e Arsimit është në procedurë të përzgjedhjes së librit, por ende nuk ka diçka konkrete.
Ndërsa edhe një mësuese tjetër në këtë shkollë, thotë se materialin po e sigurojnë nga literatura paraprake dhe në libra të botimeve tjerë të gjuhës shqipe.
Ndërkaq nga Ministria e Arsimit nuk kanë kthyer përgjigje për RTK-në, për arsyet se pse ende nuk janë siguruar librat për klasat e pesta.























