“Happy Online”, fushatë e re për sigurinë e fëmijëve në internet
N.Mekolli /RTKlive
Qeveria e Kosovës dhe partnerët e saj kanë lansuar sot një fushatën të re, “ Happy Online”, për t`i mbajtur fëmijët të sigurt në internet.
“Gjatë viteve të fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë shumë ndërhyrje me partnerët e shoqërisë civile për të përmirësuar edukimin medial dhe sigurinë e fëmijëve në internet. Kjo qasje e re “Happy Online” do të punojë me prindërit për t'u siguruar që ata janë të vetëdijshëm se çfarë mund të bëjnë për t'i mbajtur fëmijët e tyre të sigurt në platformat digjitale”, njofton zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këtë fushatë, prindërit udhëzohen se duhet të jenë më të vetëdijshëm për rreziqet e shumta që paraqiten në internet nga dhuna, pornografia, vetëvrasja dhe radikalizmi e deri te ekstremizmi.
Bëhet e ditur se kjo fushatë u përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre se si t'i mbrojnë fëmijët e tyre në internet.
“Interneti është një dritare magjike për fëmijët të cilët duan të shkojnë përtej përditshmërisë. Flisni me fëmijët tuaj, edukoni dhe kujdesuni mbi përmbajtjen që fëmijët ndajnë me të tjerët në publik. Mbani ata të sigurt dhe larg bullizmit e ngacmuesve potencial, ekstremizmit e çfarëdo forme tjetër që rrezikon mirëqenien e sigurinë e fëmijëve tuaj. Kështu, duke marr një rol aktiv në aktivitetet e fëmijëve tuaj në internet ju ndihmoni të siguroheni që ata të përfitojnë prej këtyre aktivitete dhe që të eksplorojnë një liri të re pa u ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme”, ka thënë Xhelal Sveçla, ministër i MPB-së.
Përmes kësaj fushate, Ministria e Punëve të Brendshme do të shtojë një shtresë tjetër mbrojtjeje për të rinjtë kundër përdorimit të internetit për radikalizmin, korrupsionin dhe dëmet e tjera.
Kjo fushatë do t'i informojë dhe mësojë prindërit për atë që duhet të shqetësohen dhe si t'i mbajnë fëmijët e tyre të sigurt, duke zhvilluar biseda, duke ditur për parametrat e sigurisë dhe duke i trajtuar në qasje të drejtë dhe të sigurt. Për këshilla dhe sigurinë e fëmijëve online, ndiqni kanalet e fushatës 'Happy Online' në rrjetet sociale.























