Jasharaj: Këtë të shtunë nuk ka kompensim të orëve të humbura
Blerim Halimi /RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka marrë vendim që këtë të shtunë të mos bëhet kompensimi i orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës, ndonëse kalendari i ri i publikuar nga Ministria e Arsimit e parasheh një gjë të tillë.
I pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e ka quajtur të ngutshëm vendimin e ministres Arbërie Nagavci, për kompensimin e orëve të humbura, duke filluar nga kjo e shtunë.
Ai ka thënë se ministrja nuk e ka respektuar kontratën kolektive të lidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, më 22 janar të vitit 2021, përkatësisht nenin 34, pikën 8 të saj, e cila sipas tij e thotë qartazi se ‘orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët arrijnë marrëveshje të veçantë’.
“SBASHK-u e ka obligim ta respektojë kontratën kolektive. Qeveria duhet të ndalë së shkeluri këto ligje ekzistuese dhe të ndalë goditjet ndaj sindikatave, sepse SBASHK-un nuk kanë arritur ta lëndojnë e ta përçajnë as në të kaluarën e nuk do të arrijnë as tani”, ka theksuar Jasharaj në një konferencë për media.
Ai theksoi se kryesia e SBASHK-ut e analizoi situatën dhe mori vendim që të respektohet neni 34, pika 8 e kontratës kolektive, që nënkupton që këtë të shtynë nuk do të ketë orë plotësuese për grevën.
Jasharaj ka kërkuar nga Qeveria që të ulet në tryezë me sindikatat dhe të punojë për të pasur dialog e për të arritur marrëveshje për kërkesat e sindikatave.
“Këtë të shtunë nuk do të ketë mësim. Presim që gjatë javës së ardhshme ministrja ta ftojë në takim SBASHK-un por edhe përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe përfaqësues të DKA-ve, të Këshillit të Prindërve dhe ta debatojmë këtë çështje, deri atëherë mbetet ajo që thuhet në kontratën kolektive. SBASHK-u e ka treguar atmosferën e dialogut të brendshëm, atmosferën e të drejtës së individëve për të thënë të vërtetën. Ne nuk po urdhërojmë, ne anëtarësisë po i themi se kontrata kolektive e thotë një gjë të tillë. Ne, bashkë me shkollat, me kordinatorët e cilësisë dhe me DKA-të, do të bëjmë të pamundurën për të realizuar planprogramin. Por jo me presione e jo duke shkelqur Qeveria kontratën kolektive dhe ligjet”, ka shtuar Jasharaj.
Jasharaj shprehu shpresën se javën e ardhshme të gjitha palët do të ulen për të dialoguar për këtë çështje.
Sipas tij edhe prindërit gjatë grevës së mësimdhënësve kanë thënë se nuk pranojnë që orët e humbura të kompenzohen gjatë të shtuneve, pasi sipas tij kjo e prish edhe planin familjar të vikendeve.
Ai në fund ka pasur një mesazh për ministren Nagavci, teksa ka kërkuar që kjo çështje të lihet në pavarësinë e mësimdhënësve.
“Uroj që znj. Nagavci t’i lejë inatet, t’i lejë deklaratat nxitëse, të ulet me SBASHK-un dhe të tjerët. Ne, jemi të gatshëm së bashku me mësimdhënësit, të gjejmë zgjidhjen më të mirë. T’ua lëmë pavarësinë mësuesve të Kosovës, e ata do të realizojnë planprogramin ashtu siç duhet”, ka përfunduar Jasharaj.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kompensimi i orëve të humbura si pasojë e grevës, do të bëhet sipas kalendarit të përmirësuar, i cili kompensimin e 22 ditëve të humbura mësimore e parasheh gjatë ditëve të shtunë.























