Erald Hyseni kthehet në shkollë, pas ndalesës që iu bë për shkak të flokëve
Driton Ramadani/ RTK
Teksa kërkohet zëvendësimi i orëve, një fëmije në Ferizaj për disa ditë iu pamundësua ndjekja e mësimit për shkak të flokëve të gjata. Pas intervenimit të autoriteteve komunale u mundësua që ai t`i vazhdojë mësimet, por prindërit vendosën që ai t`i ndjekë mësimet në një shkollë tjetër.
Flokët e 5 vjeçarit nga Ferizaj u bënë shkas që ai për disa ditë të mos lejohej të ndjek mësimet në shkollën 'Jeronim De Rada' në Ferizaj, raporton RTK.
Kjo ndalesë u bë bazuar në një rregullore të brendshme të shkollës në të cilën thuhet se djemve nuk iu lejohen flokët e gjata dhe bartja e vathëve.
Pas raportimit të këtij rasti, drejtoria e arsimit në Ferizaj reagoi duke bërë një zgjidhje dhe duke ia mundësuar Erald Idrizit vijimin e mësimit. Por prindi i tij vendosi që ai të vazhdojë mësimet në një shkollë tjetër.
“Pata thirrje nga MASH-ti, i shkollës ‘Jeronim De Rada’ kështu që më thanë që të vijojë djali shkollën atje. Mirëpo me pakënaqësinë që kisha ndaj kësaj shkolle si prind, e vendosa që fëmijën ta dërgojë në shkollën tjetër ‘Tefik Çanga’”, tha Fadil Idrizi prindi i Eraldit.
“Dje jemi marr me rastin e kemi shqyrtuar e kemi analizuar edhe sot s bashku me inspektoratin e arsimit kemi bërë rekomandim ku nga dita e sotme fëmija që është larguar nga shkolla mund të filloj procesin mësimor dhe do të jetë nxënës i rregullt për ta ndjekur mësimin sikurse janë duke e ndjekur bashkëmoshatarët e tij”, tha për RTK Afrim Llabjani, Drejtori i Arsimit në Ferizaj.
Prindër të tjerë thonë se dukja e asnjë fëmije nuk duhet të jetë pengesë për shkollimin e tyre.
“Për rast unë nuk e di por kjo varet sipas dëshirës së familjes sipas dëshirës së fëmijës”, tha : Ramadan Veseli, prindër.
“Kjo për mua është krejt normale dhe personale individuale tek e fundit vendos prindi”, tha Benjamin Hashani, prindër.
Pas gjetjes së zgjidhjes, Eraldi u ndje i lumtur që filloi procesin mësimor.























