Apeli hedh poshtë ankesat e të akuzuarve Pal Lekaj e të tjerëve për 53 mln
J.Musliu/RTKlive
Pal Lekajt, Nebi Shatrit, Eset Berishës dhe Besim Tahirit, Gjykata e Apelit ua ka refuzuar sot (e premte), ankesat nga mbrojtësit e tyre.
Ata dyshohen lidhur me rastin për keqpërdorim të 53 milionë eurove, në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Mbrojtësit e të akuzuarve, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Në njoftimin Gjykatës së Apelit, shkruan se në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar, duke vazhduar me arsyetimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat mbështesin veprimet e përshkruara si në aktakuzë.
Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i tij, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Autostrada Prishtinë-Han i Elezit ka nisur më 2014 dhe ishte planifikuar të përfundonte më 2018 me koston prej 600 milionë eurove. Ajo është lëshuar në qarkullim në maj të vitit 2019 dhe kostoja ishte shtuar.























