Për plotësimin e orëve, diku s’shkuan nxënësit e diku mësimdhënësit|Video
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

Për plotësimin e orëve, diku s’shkuan nxënësit e diku mësimdhënësit|Video

Arlinda Sejda/RTK

Mes dilemave nëse do të kishte apo jo mësim këtë të shtunë, në komunat e vendit është mbajtur pjesërisht procesi mësimor. Në Prishtinë, ndonëse shkollat ishin të hapura, mësim u mbajt fare pak, në disa raste për mungesë të mësimdhënësve, por edhe për shkak të mospranisë së nxënësve. Por, ministria sërish ua ka tërhequr vërejtjen mësimdhënësve e prindërve se moszbatimi i kalendarit për vitin shkollor përbën vepër penale e të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ani pse ditë e shtunë, të gjitha shkollat e Prishtinës ishin të hapura për të realizuar procesin mësimor të kompensimit të orëve të humbura.

Në kryeqytet, të gjitha shkollat kanë hapur dyert për nxënësit, por mësimi është realizuar pjesshëm, sepse jo të gjithë i janë përgjigjur kalendarit të ri mësimor.

Në shkollën “Ismail Qemali” në të dy ndërrimet, pjesëmarrja e ultë nxënësve në klasa ishte e njëjtë.

" Në ndërrimin e paradites 75% e nxënësve  kanë munguar në proces mësimor, të gjithë mësimdhënësit kanë qenë prezent, përqindja është e njëjtë si në ndërrimin  e parë si në ndërrimin e dytë”, thotë Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “ Ismajl Qemajli”.
Edhe në shkollën “Faik Konica”, e cila numëron afro1.500 nxënës, numri i tyre prezent sot ishte i ultë.

"Qysh në orët e para, në orën 08:00,  kemi qenë të gatshëm, numri i nxënësve i cili  e kemi pritur në fillim të ditës,  ka qenë shumë i ulët. Kanë qenë vetëm 32 nxënës”, thotë Blerim Dalipi, zëvendësdrejtor në këtë shkollë.

Shkolla “7 marsi”  numëron më pak nxënës për dallim nga shkollat tjera, nga 520 nxënës sa numëron, por edhe këtu prezentë ishin vetëm disa prej tyre.

"Për dallim prej numrit të nxënësve që e kemi afërsisht 80-90 nxënës kanë qenë, orët janë mbajt në mënyrë të rregullt", thotë Hyke Rexhaj, drejtoreshë “7 marsi”.

Se të gjitha shkollat në komunën e Prishtinës kanë qenë të hapura gjatë ditës së sotme, për RTK-në e konfirmoi drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

"Të hapura kanë qenë të gjitha shkollat, por kanë punuar vetëm rreth 30% të tyre. Pjesa tjetër nuk kanë punuar, sepse nuk ka pasur prezencë të nxënësve dhe jo i gjithë stafi ka dalë në punë. Në total, rreth 70% të shkollave nuk kanë punuar sot”, deklaroi Musmurati për RTK-në.

Në paraditen e sotme nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se në rastet kur nxënësit mungojnë, duhet të evidentohen në ditar për mungesë.

Mirëpo kjo ka ngjallur paqartësi për mësimdhënësit, në klasat pa asnjë nxënës. Ata kanë plotësuar hapësirat e veçanta në ditarin shkollor.

E në orët e pasdites këshilltari i Ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj në rrjetet sociale ka shkruar se institucion legjitim dhe kompetent që të hartojë kalendarin e vitit shkollor është MASHT-i.

Ai ka shtuar se kushdo që bën thirrje për moszbatim të vendimit të ligjshëm i nxjerrë nga organi kompetent, bënë vepër penale e të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Madje, u ka kërkuar vëmendje përveç mësimdhënësve, edhe prindërve.

 


MË SHUME NGA Kosovë