FSK-së i shtohen instruktorët profesional të fitnesit fizik
E.Hoti/RTKlive
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), sikurse për specializimet tjera, po vazhdon edhe me shtimin e kuadrove të instruktorëve profesional të fitnesit fizik.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai ka njoftuar se në Qendrën e Stërvitjes Profesionale të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), u trajnua dhe certifikua me sukses të lartë, Klasa 2022 e kursantëve për instruktorë të fitnesit fizik.
“Edukimi fizik ushtarak në doktrinën tonë përbën një nga aftësitë që duhet të zotërojë çdo ushtarak, së bashku me aftësitë teknike, mendore dhe emocionale. Fitnesi fizik na mundëson të kemi forcën dhe energjinë e mjaftueshme dhe të domosdoshme për të realizuar detyrat taktiko-operative me sukses të plotë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
"Trupi arrin atë që mendja beson", ka cituar Mehaj në fund shkrimtarin amerikan, Napoleon Hill.























