Gashi: Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota edhe në ENQA
BKT
Kosovë

Gashi: Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota edhe në ENQA

Albana Bajrami/ Radio Kosova

Kosova pritet të jetë anëtare e plotë e ENQA-s edhe pa qenë anëtare në Këshillin e Evropës. Një optimizëm të tillë e ka shprehur drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, në një intervistë për Radio Kosovën.

AKA është rianëtarësuar pas 4 vitesh në ENQA javën e kaluar, por me të drejta jo të plota, teksa nga e marta logoja dhe kredencialet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim janë vendosur në webfaqen e këtij asociacioni. Gashi ka theksuar se qëllimi kryesor është zbatimi i standardeve evropiane të cilësisë, e të cilat standarde sipas tij tashmë Kosova është duke i zbatuar. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se do të jetë një vlerësim i jashtëm ndërkombëtar nga ENQA në vitin e ardhshëm, i cili do të verifikojë nëse këto standarde po zbatohen. Në rast se do të ketë rekomandim pozitiv nga ENQA, atëherë do të jetë BE që duhet gjetur një mundësi për ta pranuar Kosovën me të drejta të plota.

Radio Kosova: Komisioni Evropian, në Raportin për Kosovës që u publikua më 12 tetor në Bruksel, ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka zbatuar rekomandimet e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) që lidhen me pavarësi institucionale dhe financiare. Lajm i mirë apo jo?

Naim Gashi: Ky është viti i tretë me radhë që ne marrim një raport jashtëzakonisht pozitiv për sa i përket Komisionit Evropian, në pjesën e raportit që flet për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Mendoj që ky është një lajm i mirë, jo vetëm për Agjencinë, por për të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, për faktin që vlerësohen të arriturat në cilësinë e arsimit të lartë. Kështu që, një nga kriteret kryesore që përmend raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, janë pavarësia institucionale financiare dhe rritja e kapaciteteve humane, të cilat i ka bërë Agjencia e Kosovës për Akreditim. Tri shtyllat kryesore që kanë qenë si vërejtje kur jemi larguar nga ENQA, ishin pavarësia institucionale, pavarësia financiare dhe mungesa e resurseve ose stafit të Agjencisë. Besoj që deri më tani janë përmbushur, mirëpo për sa i përket stafit, ne jemi në proces të zgjerimit edhe të mëtutjeshëm.

Radio Kosova: Në pjesën e raportit që flitet për Agjencinë e Akreditimit, Komisioni Evropian ka rekomanduar që të vazhdojë procesi i procedurave pas-akredituese për monitorimin e institucioneve të arsimit të lartë? Çfarë mund të na thoni për këtë?

Naim Gashi: Po, në shkurtin e këtij viti, Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka miratuar metodologjinë e monitorimit dhe procedurave pas-akredituese. Procesi i monitorimit ka filluar në maj të këtij viti dhe është proces që vazhdon pa ndërprerë. Ne pajtohemi me rekomandimin e Komisionit Evropian dhe jemi duke e zbatuar, pasi procesi i monitorimit nuk është një proces që fillon e mbaron, por është një proces i vazhdueshëm, i cili vazhdon për të monitoruar dhe për të zhvilluar procedurat pas-akredituese, nëse institucionet e arsimit të lartë i ruajnë standardet e akreditimit me të cilat kanë përfituar akreditimin, qoftë atë institucional apo edhe të programeve të studimit. Unë mendoj që procesi i monitorimit ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe sensibilizimin e përgjithshëm të komunitetit akademik dhe studentëve për mbarëvajtjen e procesit mësimor konform planeve, të cilat institucionet e arsimit të lartë vetë i kanë aprovuar. Sipas manualit që kemi të aprovuar, monitorimi ndahet në dy pjesë: monitorimi teknik procedural, që bëhet nga stafi i Agjencisë, ndërsa procedurat pas-akredituese bëhen nga ekspertët ndërkombëtarë. Nëse monitoruesit tanë vërejnë se nëse në terren nuk është duke shkuar diçka në rregull për sa i përket cilësisë në arsimin e lartë, ne gëzojmë të drejtën që me vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, atë program akademik ose atë institucion, ta fusim në procedura pas-akredituese, ftohet eksperti ndërkombëtar dhe bën verifikimin nëse institucioni ose programi akademik i respekton kushtet me të cilat është akredituar.

Radio Kosova: Z. Gashi, Kosova është pranuar në ENQA, por me një status pak më të vogël se që ka qenë. A mund të na sqaroni këtë status?

Naim Gashi: Është e saktë. Ne kemi statusin “affiliate” në ENQA, që do të thotë se nuk jemi anëtar me të drejta të plota, për faktin që ky është hapi i parë për një anëtarësim të plotë. Ne planifikojmë që vitin e ardhshëm t’i nënshtrohemi një vlerësimi të përgjithshëm nga ENQA dhe me automatizëm, në momentin që ne marrim rekomandim pozitiv, bëhemi pjesë i EQAR-it, i cili është Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Më pas, duhet të shikojmë mundësinë për anëtarësimin e plotë në ENQA, për faktin që kemi një problem të vogël për anëtarësim të plotë. Ne verën e vitit 2021, ENQA e ka përditësuar statusin e saj dhe vetëm anëtarët të cilët janë pjesë e Këshillit të Evropës, respektivisht pjesë e procesit të Bolonjës, mund të bëhen anëtare me të drejta të plota. Unë shpresoj që në momentin që marrim rekomandim pozitiv, sikur në rastin e liberalizimit të vizave, edhe pse nuk njihemi nga pesë vende të BE-së, megjithatë Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian po gjejnë alternativa të tjera për t’i liberalizuar vizat. Unë besoj shumë që do të gjendet një mundësi, që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota edhe në ENQA.

Radio Kosova: A mund të jemi anëtarë të plotë në ENQA, pa qenë edhe anëtarë në Këshillin e Evropës?

Naim Gashi: Unë besoj shumë që po. Qëllimi ynë kryesor është që ne të zbatojmë standardet evropiane të cilësisë dhe këto standarde ne tashmë vetëm jemi duke i zbatuar dhe konsiderojmë që i zbatojmë në plotni. Mirëpo, do të jetë një vlerësim i jashtëm ndërkombëtar nga ENQA vitin e ardhshëm, i cili do të verifikojë nëse këto standarde po zbatohen. Në momentin që marrim një rekomandim pozitiv nga ENQA, atëherë presioni kalon në anën e BE-së për të gjetur një mundësi për ta pranuar Kosovën me të drejta të plota.

Radio Kosova: Cilat reforma janë kryer dhe cilat standarde janë plotësuar që Kosova u pranua përsëri në ENQA?

Naim Gashi: Kemi pasur trembëdhjetë rekomandime kryesore kur jemi larguar në vitin 2019 nga ENQA dhe dymbëdhjetë prej tyre me përgjegjësi deklaroj që janë plotësuar. Këtë e thonë edhe monitoruesit vendorë e ndërkombëtarë, të cilët e monitorojnë Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Kriteret të cilat i kemi plotësuar kanë qenë: Plani Strategjik, pavarësia institucionale e financiare, rritja e numrit të stafit, rritja e hapësirave të punës për Agjencinë e Akreditimit, përgatitja e metodologjisë së monitorimit, përgatitja e metodologjisë së analizave tematike, krijimi i procedurave për vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm, përditësimi i standardeve në nivelin bachelor, master dhe phd, krijimi i një manuali për ekspertë të jashtëm dhe plot standarde të tjera. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e një plani dinamik, të cilin unë e kam aprovuar në vjeshtën e vitit 2020 dhe si rrjedhë të këtij plani kemi ardhur deri te përfitimi i statusit “affiliate” në ENQA.  

Radio Kosova: Po për pranimin e Agjencisë së Akreditimit në EQAR, a kanë ndryshuar kriteret?

Naim Gashi: Për sa i përket EQAR-it, kriteret janë të njëjta. Për neve si shtet, si komunitet akademik dhe studentë, anëtarësimi në EQAR është më i rëndësishëm se sa në ENQA, për faktin se anëtarësimi në EQAR nënkupton që studentët nga Kosova, por edhe të diplomuarit do të jenë pjesë e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo do të mundësojë në mënyrë automatike njohjen e diplomave të studentëve që diplomojnë në institucionet e arsimit të lartë edhe për të diplomuarit që kanë diplomuar më herët. Gjithashtu, do të ndihmojë edhe në shkëmbimin e studentëve, në vazhdimin e studimeve, punësimin jashtë vendit. E gjithë kjo punë që po bëhet është në interes të studentëve dhe të të diplomuarve të Kosovës si dhe në interes të arsimit, shkencës e teknologjisë në Kosovë. ENQA dhe EQAR janë dy institucione pothuajse paralele. Në momentin që ne i plotësojmë kriteret për t’u anëtarësuar në njërën, me automatizëm anëtarësohemi edhe në tjetrën. Në momentin që ne marrim një rekomandim pozitiv nga ENQA, me automatizëm bëhemi pjesë edhe e EQAR-it. Unë besoj dhe shpresoj e punoj bashkë me ekipin që drejtoj, së bashku me Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe Ministrinë e Arsimit e donatorët, që kjo të ndodhë në vjeshtën e vitit 2023.

Radio Kosova: Theksuat më lart plotësimin e standardit për pavarësi institucionale financiare. Si financohet tani Agjencia e Akreditimit?

Naim Gashi: Agjencia e Akreditimit i ka dy burime të financimit: është stafi i Agjencisë që paguhet nga buxheti i shtetit, ndërsa procesin e akreditimit e paguajnë institucionet e arsimit të lartë, kur i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Për sa i përket pavarësisë institucionale dhe financiare, kjo do të garantohet me Ligjin për Agjencinë e Akreditimit, i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës dhe presim që shumë shpejt të kalojë edhe në lexim të dytë. Kjo po bëhet me qëllim që në të ardhmen t’i pamundësohet çdokujt ndërhyrja në Agjencinë e Akreditimit dhe dëmtimit të procesit të cilësisë në arsimin e lartë.

Radio Kosova: Pra, Ligji garanton që të mos ketë më ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit siç ka pasur në të kaluarën?

Naim Gashi: Gjithsesi, ndërhyrjet politike na kanë kushtuar dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për pasojat që i kemi bartur. Ato pasoja me shumë vështirësi po rikuperohen nga Agjencia e Akreditimit dhe jemi të bindur dhe besojmë që raste të tilla nuk do të përsëriten më në të ardhmen.

Radio Kosova: Ndërkohë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Akreditimit, në shtator ka shqyrtuar dhe ka vendosur për raportet e ekspertëve ndërkombëtarë për programet e doktoratës.

Naim Gashi: Kemi pasur në proces të vlerësimit programet e doktoratës, ku kanë qenë të angazhuar ekspertët ndërkombëtarë. Ata kanë përpiluar raportet e tyre të vlerësimit për programet e doktoratës, të cilat kanë qenë vetëm në Universitetin e Prishtinës. Konform të gjitha vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë qenë në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Kemi dy programe të doktoratës të cilat janë aprovuar në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa tri të tjera kanë dështuar që të marrin akreditim. Arsyet janë publike në ueb faqen e Agjencisë së Akreditimit dhe kryesisht kanë të bëjnë me mos zbatimin e tridhjetegjashtë kritereve obliguese për t/u akredituar një program i doktoratës në Kosovë. 

Radio Kosova: Raporti i kaluar i Komisionit Evropian, ka thënë se Agjencia ka zvogëluar numrin e Kolegjeve private dhe kuotat për regjistrimin e studentëve bazuar në kriterin e cilësisë, A mund të na thoni, sa institucione private të arsimit të lartë e kanë humbur akreditimin institucional, cilat kanë qenë arsyet e mos akreditimit dhe cilat kritere nuk i kanë plotësuar?

Naim Gashi: Ideja ka qenë se për sa i përket akreditimit institucional ekzistojnë njëmbëdhjetë kritere. Ne institucionet e arsimit të lartë, me ligj të gjitha i trajtojmë njësoj. Nga viti 2019 deri sivjet, tetëmbëdhjetë institucione të arsimit të lartë e kanë humbur akreditimin institucional, për shkak se nuk i kanë zbatuar standardet e përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit, të cilat janë në harmoni të plotë 100 për qind me standardet evropiane të cilësisë. Nga njëmbëdhjetë standardet më të rëndësishme që janë: misioni, vizioni, planifikimi strategjik, stafi akademik i kompletuar me përgatitje profesionale, hulumtimet shkencore, kriteret teknike, infrastrukturore, niveli i studentëve, ndërlidhja me tregun e punës, industrinë, janë disa nga standardet që secili institucion i arsimi të lartë duhet t’i plotësojë për të marrë një akreditim institucional. I gjithë ky proces nuk është në duart e një individi, por zhvillohet nga ekspertët eminentë ndërkombëtarë. Gjatë këtij viti kemi pasur të angazhuar tetëdhjetenjë ekspertë ndërkombëtarë, prej tyre edhe ekspertë studentë, të cilët kanë marrë pjesë në procesin e akreditimit në Kosovë. Në listën tonë janë figurat më eminente të shkencë në Evropë, duke përfshirë anëtarë të Bordit të ENQA-s, drejtorë të Agjencive homologe të Kosovës, profesorë me numër të citimeve në Evropë. Për sa i përket procedurave të akreditimit, nuk kemi pasur ankesa nga institucionet e arsimit të lartë.

Radio Kosova: Gjatë një viti sa institucione akreditohen?

Naim Gashi: Nga viti në vit ndryshon. Parashikimet tona janë që gjatë këtij viti rreth shtatëdhjetë programeve të studimit u skadon akreditimi dhe ato për rrjedhojë kanë të drejtë që t’i nënshtrohen ri-akreditimit. Akreditimi bëhet një vit para, ku nga tetori 2022 deri në qershor 2023, punojmë për vitin akademik 2023/2024. Sivjet janë të planifikuara rreth shtatëdhjetë programe në proces të ri-akreditimit dhe jemi në proces të pritjes së aplikacioneve të reja deri më 31 tetor 2022, kur është edhe afati ligjor që institucionet e arsimit të lartë të aplikojnë në Agjencinë e Akreditimit.


MË SHUME NGA Kosovë