Vazhdon thellimi i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri
BKT
Foto: Ministria e Brendshme
Kosovë

Vazhdon thellimi i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Fadil Sertolli / RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla priti në takim një delegacion nga Republika e Shqipërisë, të kryesuar nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko. Me këtë rast, Sveçla i ka njoftuar për angazhimet aktuale të ministrisë, synimet që kanë për të ardhmen, e po ashtu ka shprehur gatishmërinë për koordinimin e projekteve për të ardhmen.

Po ashtu, kjo gatishmëri është konfirmuar edhe nga delegacioni nga Republika e Shqipërisë.

Sipas një njoftimi për media nga Ministria e Punëve të Brendshme, bëhet e ditur se të dyja palët diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit mes institucioneve vartëse me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe përvojave më të mira në mënyrë që institucionet e dy vendeve të jenë sa më të ngritura profesionalisht dhe në shërbim të qytetarëve.

“Të dyja palët u dakorduan se do të vazhdojnë edhe më tutje thellimin e bashkëpunimit të ngushtë si deri më tani, në mënyrë që të avancohen politikat tona të sigurisë dhe të jemi sa më të efektshëm për qytetarët e të dyja shteteve”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, delegacioni nga Republika e Shqipërisë ishte i përbërë nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko, Koordinatori Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Denion Meidani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, Drejtori i Përgjithshëm e Shërbimit Sprovues, Ervin Hoxha dhe zëvendëskoordinatori kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Ermal Jauri.


MË SHUME NGA Kosovë