Kurti vendos gurthemelin për një shkollë dhe një çerdhe në Gjakovë
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Kosovë

Kurti vendos gurthemelin për një shkollë dhe një çerdhe në Gjakovë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar sot në komunën e Gjakovës, e ku ka vendosur gurthemelin e një shkolle në fshatin Ponoshec dhe të një çerdheje në lagjen Rezinë të Gjakovës.

Në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, kryeministri Albin Kurti, vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, investim ky i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në vlerë prej 1.2 milion euro.

Në këtë ceremoni kryeministri Kurti kathënë se krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve e shpresë për Republikën.

“Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë kryeministri.

“Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu. Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore”, shtoi kryeministri.

Kjo shkollë ka sipërfaqe prej 2.800 metra katror. Është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.

Kryeministri Kurti tha në këtë ceremoni se Qeveria mbetet e përkushtuar për projekte të reja sikurse ky.

“Deri në fund të vitit, çerdhet do të hapen edhe në Prizren e në Suharekë, ndërkaq, në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë”.

Në këtë ceremoni, morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Zëvendësministri Agon Dobruna, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, deputetët Agon Batusha dhe Fridon Lala, si dhe përfaqësues të fshatit Ponoshec.

Kurti: Edukimi parashkollor, vendimtar për suksesin e mëtejmë të fëmijëve

Ndërkohë pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e shkollës në Ponoshec u vendos edhe gurthemeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të kësaj komune, po ashtu investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kryeministri tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, për shkak se të gjitha studimet kanë treguar që suksesi në shkollat fillore është i lidhur drejtpërsëdrejti me suksesin që kanë treguar fëmijët në shkollimin parashkollor, pra çerdhe.

“Edukimi parashkollor është vendimtar për suksesin e mëtutjeshëm në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve” u shpreh ai. Objekti me 1400 metra katror, është i planifikuar për 150 fëmijë. Do të këtë shtatë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit, hapësirën për qëllime të ndryshme, kuzhinën, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratës dhe një hapësirë shtesë teknike. Koha e realizimit të projektit sipas kontratës është 24 muaj, ndërkaq vlera e investimit rreth 759 mijë.


MË SHUME NGA Kosovë