Abdixhiku: Qeveria me mosveprim, po e rëndon gjendjen ekonomike
M.Sh/RTKLive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mungesë vizioni në uljen e krizës ekonomike. Gjatë qëndrimit në Obiliq, Abdixhiku tha se qytetarët e Kosovës aktualisht po ballafaqohen me luftën për ekzistencë.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur që në kohë krize të qëndroj spektatore, ajo në vend që të marr hapa konkret në lehtësimin e krizës ekonomike, po e rëndon atë, duke mos vepruar e duke u sillur që gjithçka është në suaza normale. Inflacioni ka arritur në shifra rekorde ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, ngritja e çmimeve të produkteve bazike është dyfishuar, andaj dhe lufta për ekzistencë është beteja me të cilën po përballën shumë qytetarë”, ka thënë kryetari Abdixhiku, thuhet në një komunikatë lëshuar nga ky subjekt.
Kryetari i LDK-së gjithashtu ka folur edhe për krizën energjetike, për të cilën tha se e ka rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë.
“Kriza energjetike ka rënduar jetën e qytetarëve. Një Qeveri e përgjegjshme që ka kaluar një dimër në krizë deri tash do të duhej të bënte të gjitha përgatitjet për të kaluar këtë dimër më lehtë. Kjo papërgatitje e thellon edhe më tutje krizën e cila do të sjellë pasoja për qytetarët tanë dhe për industrinë në vendin tonë”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka folur edhe për investimeve të huaja direkte. “Paramendojeni se cila kompani me fuqi të mëdha financiare do rrezikonte kapitalin e vet, kur e dëgjon kryeministrin e vendit tonë, të flet në çdo intervistë për luftë. Ky diskurs është shumë i rrezikshëm jo vetëm për rrafshin ekonomik por edhe atë politik”, ka thënë Abadixhiku thuhet në komunikatën e LDK-së.
Abdixhiku ka folur edhe për vizionin e LDK-së si dhe për ofertën që ka për qytetarët karshi çdo sfide.























