Sahiti: Mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së është e kundërligjshme
BKT
Kosovë

Sahiti: Mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së është e kundërligjshme

K.Kasumi/ RTKlive

Rektori i Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, sot ka mbajtur një konferencë për medie, në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit në UP.

Në këtë konferencë rektor Sahiti bëri me dije se në zgjedhjet e mbajtura në qershor për Këshillin Drejtues të UP-së është zgjedhur një kandidat i cili ka bërë plagjiaturë. Ai tregoi se këtë çështje e kishte paraqitur tek organet e UP-së, mirëpo ato nuk janë marrë me rastin.

Sahiti tregoi se personi në fjalë është Selim Bezeri, të cilin për plagjiaturë e ka denoncuar vetë.

“Çështja e parë është me Këshillin Drejtues. Si rezultat i atyre zgjedhjeve të Këshillit Drejtues është zgjedhur një kandidat që ka plagjiatë në punimin e doktoratës. Ka qenë edhe një prononcim i ministres për këtë çështje. Ajo ka thënë se do të kërkojë nga Këshilli Drejtues që këtë rast ta denoncojë në Këshill të Etikës. Përkundër atij zotimi, anëtarët nuk e kanë denoncuar rastin në Këshill të Etikës me arsyen se nuk kemi fakte”, bëri me dije Sahiti.

Sipas tij, “ORCA ka ofruar fakte të mjaftueshme dhe ka kërkuar nga Këshilli Drejtues që të procedojë më tutje, por ata kanë thënë që këtë çështje ta procedojë ORCA. Pasi bëhet fjalë për një pozitë shumë të lartë, për Selim Bezerin, e kam parë të arsyeshme që unë ta marrë në dorë ta denoncoj rastin dhe rasti është në Këshill të Etikës me dëshmitë e nevojshme që doktorata është plagjiaturë”.

Rektori Sahiti në këtë konferencë foli edhe për një çështje tjetër, për kërkesën e Këshillit Drejtues për takim ditën e premte e që, sipas tij, ajo mbledhje është joligjore.

“Çështja e dytë është që nesër Këshilli Drejtues e ka caktuar një takim. Në të është paraparë raportimi i menaxhmentit të lartë. Ajo mbledhje është caktuar në kundërshtim me statutin. Pra, mbledhja e nesërme është kundërligjore”, tha rektor Sahiti.

Rektori foli edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për të cilën tha edhe asaj ia ka paraqitur këtë problem mirëpo, sipas tij, ajo nuk është marrë fare me këtë çështje.

 “Ne kemi pasur kontakt pasi jemi kthyer nga pushimet. Jemi takuar në shtator. Në atë takim e kam pyetur për problemin me Këshillin Drejtues. Me keqardhje them se ministrja nuk ka treguar asnjë interesim për këtë çështje. Është e qartë që ka pasur koordinim në çështje të caktuara”, tha ai dhe shtoi se “Ata e kanë kërkuar mbajtjen e rendit e ditës, që kuptohet se mund të jetë edhe marrja e vendimit për shkarkimin e rektorit”.

Rektor Sahiti në konferencë shprehu kritika edhe për përbërjen e Këshillit Drejtues të UP-së.

“Përbërja e Këshillit Drejtues lë shumë për të dëshiruar. Kurrë njëherë një përbërje të tillë s’kemi pasur, prandaj çështja është shumë më problematike sesa që ka pasur ndonjëherë UP-ja. Çështja e plagjiaturës duhet të adresohet. Ne kemi plane që këtë dukuri ta luftojmë në mënyrë sistematike. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë nëse ne kemi në hierarkinë më të lartë njerëz të cilët nuk e kanë pastruar vetë çështjen”, deklaroi Sahiti.


MË SHUME NGA Kosovë