Parkingu nëntokësor do të përfundojë në nëntor
BKT
Foto: Fadil Gashi/ Radio Kosova
Kosovë

Parkingu nëntokësor do të përfundojë në nëntor

Albulena Bytyqi/ Radio Kosova

Parkingu nëntokësor i cili është duke u ndërtuar te Fakulteti Filologjik, në Prishtinë, do të përfundojë në nëntor. Kështu ka thënë për Radio Kosovën zyrtarë nga Komuna e Prishtinës. Kjo kontratë ishte nënshkruar në vitin 2019 dhe projekti ishte paraparë të përfundojë brenda 24 muajve.

Parkingu nëntokësor i cili është duke u ndërtuar në qendër të Prishtinës te Fakulteti Filologjik, shumë shpejt pritet të përfundojë. Këtë e ka bërë me dije për Radio Kosovën  zyrtari i lartë për trafikun rrugor në Komunën e Prishtinës, Halil Halili. Ai tha për Radio Kosovën se parkingu nëntokësor pritet të hapet në fund të muajit nëntor të këtij viti.

“Jemi në fund të implementim të projektit, por pasi që tani jemi ne sezonin vjeshtor dhe ka ndryshime atmosferike siç janë reshjet e shiut të cilat i pengojnë punimet, por në momentin që do të kemi mot më të mirë do të vazhdohet me punimet, pasi që tani janë drejt përfundimit”, tha Halili.

Edhe pse ende nuk dihet sa do të jetë çmimi i biletës për një orë në këtë parking, Halili thotë se parkingu do të jetë sipas standardeve evropiane, si dhe do të jenë të parapara edhe për persona me aftësi të veçanta.

“Pjesa e hyrje-daljeve në parkingje do të jetë në mënyrë digjitale dhe do të ketë laura në hyrje dhe dalje të parkingut dhe gjithashtu janë të menaxhuara dhe shenjëzuara edhe për persona me aftësi të veçanta e që janë të parapara me standarde të parkingjeve”, shtoi Halili.

Për ndërtimin e parkingut nëntokësor, Komuna e Prishtinës në vitin 2019 kishte nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik me një konsersium Kosovar-Italian Parking Center, e sipas kontratës ishte paraparë që projekti të përfundojë brenda 24 muajve të ardhshëm. Kapaciteti i këtij parkingu do të jetë 700 deri 1000 vende të parapara për makina.


MË SHUME NGA Kosovë