Mbyllja e `Orenda-së` pronari e disa banorë kundërshtojnë vendimin|Video
Islam Haxhiu/RTK
Në Pejë ditë më parë në një qendër private për përkujdes ndaj të moshuarve ndodhi një ngjarje e cila tronditi vendin. Infermieret të cilat u panë në një video teksa godisnin një të moshuar të qendrës, tashmë janë në paraburgim. Por edhe qendra që ofronte shërbime për të moshuarit nga e hëna obligohet të mbyllet, pas revokimit të licencës së saj.
Këtë vendim po e kundërshton pronari i qendrës por edhe disa të moshuar, të cilët nuk kanë nga të shkojnë.
Kjo qendër e të moshuarve në Pejë nga e cila ditë më parë doli një video ku shiheshin disa infermiere teksa ushtronin dhunë mbi një banore të qendrës, të hënën është e obliguar të mbyll dyert. Mbyllja e saj vjen pas revokimit të licencës që lëshoi Ministria e Financave.
Këtë vendim, pronari i qendrës ‘Orenda’ Anton Rasaj po e cilëson arbitrar. Ai përmes një konference për media thotë se ka qenë i detyruar që t?i njoftojë të afërmit e banorëve në këtë qendër, që të vijnë dhe t’i tërheqin ata.
Këtë vedim po e kundërshtojnë edhe disa banorë të qendrës dhe familjarë të tyre, sipas të cilëve nuk kanë mundësi që kaq shpejt të tërhiqen nga Qendra.
Pronari i qendrës thotë se do të padisë institucionet e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për investitor të huaj, ndërsa çështjen e betejës ligjore, tha ai, do t'ua besojë avokatëve vendor dhe atyre zviceran.























