Regjistrimi i popullsisë vlerësohet proces shumë i rëndësishëm |Video
V. Thaçi / RTKlive
Për të planifikuar dhe zbatuar politikat e bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, në konferencën “Java e regjistrimit të popullsisë” që po mbahet në Prishtinë në organizim të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
“Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit janë bilanci emperik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen.
Ndërkaq, Ilir Berisha, Zv/Kryeshef Ekzekutiv i ASK-së, tha se ky takim ka pikënisje debatin me akterët kryesor në vend të nivelit qendror, lokal dhe ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të regjistrimit.
Kurse Liburn Aliu, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, tha se të dhënat statistikore të regjistrimit të popullsisë krijojnë në tërësi infrastrukturën statistikore në Republikën e Kosovës.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës është burimi kryesor për institutin në procesin e hartimit të planeve hapësinore, dokumentet strategjike në sektorin e planifikimit si dhe dokumenteve strategjike të zonës gjeografike të vendit për nivelin qendror”, tha Aliu.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha se e mbështesin Qeverinë e Kosovës në këtë proces kaq të rëndësishëm.
“Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që kryhet nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara. Këtë proces e shoh si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta për të ndihmuar njerëzit e Kosovës”, tha ajo, duke shtuar se me Qeverinë e Kosovës janë duke punuar në 17 objektiva zhvillimore të qëndrueshme.























