Gjykata liron nga akuza katër ish-ministra dhe dy të tjerë
E.Hoti/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza katër ish-ministrat Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj dhe Dardan Gashi, si dhe Fllanza Hoxhën e Arben Gjukën, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion në rastin e njohur si “Afera e hidrocentraleve”.
Në aktvendimin e saj, Gjykata Themelore konstaton se të akuzuarit janë liruar nga akuza, pasi gjykata nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, bëhet e ditur se e dëmtuara, Korporata Energjetike e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.
Tutje në njoftim thuhet se kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ndryshe në prill të vitit 2020, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër 19 personave, përfshirë edhe ish-ministrat e Qeverisë, që në atë kohë udhëhiqej nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.























