Në Jarinjë, policia shqipton 60 fletëqortime, situata është e qetë|Video
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Situatë e qetë në aspektin e sigurisë është edhe në magjistralen Mitrovicë-Jarinjë, në veri të vendit.
Edhe atje, në pikën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë, qëndroi gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda me ekipin e transmetuesit publik.
Bazuar në të dhënat e policisë, gjatë 24 orëve të fundit, në këtë pikë kufitare, policia ka shqiptuar 60 fletëqortime ndaj qytetarëve serbë, të cilët vazhdojnë që në automjetet e tyre të bartin targat ilegale KM dhe nuk i kanë zëvëndësuar me ato legale, RKS.
Sipas gazetares, në këtë magjistrale, janë parë lëvizje të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, por nuk janë parë patrullime të stacionuara.
Në këtë pikë kufitare, lëvizja e veturave është në numër më të madh, krahasuar me atë në Bërnjak.
Sidoqoftë, ajo tha se mbi liqenin e Ujmanit, gjatë orëve të mbrëmjes, ka parë edhe patrullime të KFOR-it me anë të helikopterëve.
Në tërësi, situata është e qetë në tërë veriun e Republikës.
Dogana e policia kryejnë detyrën në Bërnjak, shqiptohen 25 fletëqortime
Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë. Gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda, duke raportuar nga pika kufitare në Bërnjak, që ndan Kosovën me Serbinë, raporton se gjatë rrugës deri atje, nuk janë parë vetura të policisë apo të KFOR-it.
Derisa raportoi nga pika kufitare në Bërnjak, gazetarja tha se vetëm dy vetura të EULEX-it, janë duke qëndruar në pikën e staucionit të vijës së gjelbër, pranë kufirit, kurse gjatë ditës, tha se janë shqiptuar 25 fletëqortime për qytertarët serbë të Kosovës, që nuk kanë konvertuar targat nga ato të paligjshme KM në ato legale RKS.
Në këtë rrugë, nga Zubin Potoku deri në Bërnjak, ajo tha se automjetet janë më të pakta që lëvizin, për shkak se edhe banorë ka më pak në këtë anë, por sipas saj, janë parë më shumë maune që bartin mallra.
Duke raportuar në emisionin “Info Plus” në RTK, gazetarja Sejda deklaroi se edhe sa i përket pikës doganore në Bërnjak, gjithçka është duke funksoniar në mënyrë të rregullt, sikurse edhe më parë.
Zyrtarët në këtë pikë kufitare, kanë deklaruar se kanë staf të mjaftueshëm të doganës për të kryer detyrat e tyre.
























