Dorëheqjet në veri, stërngarkojnë me punë ata që kanë mbetur |Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Dorëheqjet në veri, stërngarkojnë me punë ata që kanë mbetur |Video

Donika Sherifi/RTK

Edhe sot ka pasur dorëheqje nga institucionet e Kosovës që veprojnë në veri të Mitrovicës. Megjithatë, ata pak punëtorë shqiptarë kanë vazhduar të kryejnë punët edhe pse të ngarkuara, në mënyrë që qytetarët e kësaj ane të mos mbesin pa shërbime.

Serbët tanimë kanë braktisur institucionet e Mitrovicës së Veriut. Në to, shërbimet ofrohen vetëm nga punonjësit shqiptarë.

Një nga to është Komuna e Mitrovicës së veriut, e cila tash e sa ditë është edhe pa kryetar komune.

Sidoqoftë, puna në komunën e Mitrovicës së Veriut është duke vazhduar pa probleme, pavarësisht dorëheqjeve që zyrtarët serb kanë dhënë nga kjo komunë.

Nënkryetari i Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, thotë se pavarësisht që po punohet, ka ngecje në disa drejtori.

“Janë gjyqtarët e prokurorët shqiptarë, ata që për momentin janë duke e bartur barrën, mirëpo problemet brenda janë teknike”, thotë  Skënder Sadiku, nënkryetar i Mitrovicës së Veriut.

“Problemet janë me lëndë të cilat i kanë marrë prokurorët e që duhet të nisin nga zero, dhe kjo krijon telashe për funksionalizim të ligjit”.

Sipas tij, policët janë në numër shumë të reduktuar, por po funksionojnë të stërngarkuar e me ndrrime, por edhe  me kolegë që vijnë nga jugu.

“Në komunë janë disa drejtori që janë jofunksionale  brenda këtyre tri ditëve. Mirëpo gjendja civile i njoftoi banorët e Mitrovicës se mund të shkojnë në komunë, e me ato kapacitete komuna është duke ofruar  shërbime”, thekson Sadiku për RTK-në.

Edhe në gjyqësor, situata është e njëjtë. Pas dorëheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Mitrovicën e Veriut, puna në Gjykatën Themelore të kësaj komune është vështirësuar dhe lëndët janë grumbulluar.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në veri, Bekim Veliqi, ka thënë përmes telefonit se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kanë mbingarkuar punonjësit shqiptarë të këtij sektori.

 “Këshilli i ka ndërmarrë veprimet e veta përmes nenit, që gjendja të jetë pak më e qetë, meqenëse kemi shumë ngarkesë, e telashe shumë”, thotë Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës Themelore.

Ai thotë se të gjithë gjyqtarët serbë e stafi, kanë ofru dorëheqje, kurse në gjykatë ua kanë dorëzu rastet në masë, rastet që janë për paraburg.

“Kemi raste të shumta të vrasjeve që kanë qenë precedent të gjyqtarët serbë, e ne na u janë dorëzuar ato lëndë”.

Ai tha se gjykata është duke ndërmarrë veprime të ricaktojë ato lëndë për arsye se duhen veprime urgjente.

“Sidomos gjendja është e rëndë në Departament të Krimeve të Rënda”.

Edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi me ekipin e tij, kanë vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Sipas komunikatës, Kelmendi shqyrtoi të gjitha mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës.

Gjithashtu u panë numër më i shtuar i karabinierëve që po qarkullonin nëpër rrugë.

Në stacionin policor në veri të Mitrovicës tanimë nuk është në detyrë asnjë polic i nacionalitetit serb, dhe ata që ofrojnë shërbime janë vetëm policët shqiptarë.

Pa asnjë punonjës ka mbetur edhe shërbimi i zjarrfikësve në veri.

Shërbimi i zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut nuk është duke punuar pasi të gjithë punëtorët e saj që ishin të nacionalitetit serbë kanë dhënë dorëheqje.

Gjatë së enjtes, Dogana e Kosovës ka konfirmuar se dorëheqje kanë dhënë edhe 11 punonjës doganorë të veriut, 9 serbë dhe 2 boshnjakë.

E shqiptarët e veriut thonë se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

“Nëse do të kishin punu institucionet tona ashtu si duhet të punojnë, atëherë nuk do të vinim deri në këtë situatë ku jemi tash”, thotë Betim Osmani, banor I lagjes “Kroit i Vitakut”.

Ditë më parë, kryetarët e katër komunave veriore, asamblistë, policë të Kosovës e shumë punonjës tjerë kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.


MË SHUME NGA Kosovë