Tahiri: Qeveria ka gënjyer 80 mijë zyrtarë publikë
BKT
Foto: Elmina Osmani/ RTK
Kosovë

Tahiri: Qeveria ka gënjyer 80 mijë zyrtarë publikë

Elmina Osmani/ RTK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar Qeverinë për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria ka gënjyer 80 mijë shërbyes publikë me mospërfshirjen e Projektligjit për Paga në buxhet.

“E kanë luajtur një lojë shumë të ulët duke mos e miratuar Projektligjin për Paga. Kjo është goditja e madhe që qeveria ia bën 80 mijë familjeve", deklaroi Tahiri.

"E pakuptimtë, jo serioze dhe jo e përgjegjshme".

Ai më tej deklaroi se qytetarët e Kosovës, duhet të vlerësojnë nëse është e drejtë që ministri i Financave të kërkojë nga sektori privat të rrisë pagat, përderisa vetë e ka në dorë ligjin dhe buxhetin ta bëjë këtë.

"Po i thotë sektorit privat me i ngritë pagat kur vetë e ka rritë buxhetin e nuk po i rritë pagat.Kjo Qeveri do të mbahet mend për libër të genisist”, tha Tahiri.

Me këtë rast, AAK ka vendosur të adresojë një amendament në kuadër të Projektligjit për Buxhet duke kërkuar ngritjen e pagave në sektorin publik për 30 përqind.

Këtë amendament e ka prezantuar, deputeti i AAK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj.

Lekaj tha se qeveria ka mashtruar qytetarët dhe zyrtarët publikë dhe nuk i është përmbajtur rezolutës që vetë e ka përkrahur në kuvend për Ligjin e Pagave.

“Ka kaluar të gjitha afatet dhe në Komisionin për Buxhet askund nuk shihet Ligji i Pagave, ngritja e pagave", tha Lekaj.

"Përveç një kontigjenti që ka dashtë Qeveria për ta shitur dhe për të gënjyer zyrtarët publikë, është prej 70 milionë eurove një kontigjent që e ka paraparë për rekrutim të 10 mijë vendeve apo zyrtarëve që me vite nuk janë rekrutuar”, deklaroi Lekaj.

“Pas një analize analitike buxhetore, jemi dakorduar që të bëjmë mes dy leximeve një amendament që kërkojmë që 30 përqind të rriten pagat e çdo zyrtari publik. Kjo ngritje të bëhet deri në miratimin e Projektligjit për Paga”, shtoi ai.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në këtë konferencë ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se porositë e Bashkimit Evropian karshi të dyja vendeve, për këtë proces, duhet të jetë të barabarta.


MË SHUME NGA Kosovë