Depolitizimi i RTK-së zhvillim pozitiv, pengesë buxheti i ulët |Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Depolitizimi i RTK-së zhvillim pozitiv, pengesë buxheti i ulët |Video

Elmina Osmani/RTK

Partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, kanë publikuar gjetjet e tyre mbi lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Me këtë rast u tha se vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor, i cili është kryesisht në përputhje me standardet evropiane.

Po ashtu në këtë konferencë u tha se zhvillimet pozitive përfshijnë edhe procesin e depolitizimit të transmetuesit publik, RTK-së,  me emërimin e anëtarëve të bordit në një proces transparent, ndonëse shtuan se RTK-së  i mungon një model i qëndrueshëm financimi.

Kosova u tha se është vend me pluralizëm të medieve, garanci të forta kushtetuese për lirinë e shprehjes, medies dhe qasjes në dokumentet publike.

Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Sigurinë e Gazetarëve u shpreh se procesi i depolitizimit të RTK-së me zgjedhjen e anëtarëve të bordit, në një proces transparent, është gjithashtu zhvillim pozitiv, derisa u përmend edhe financimi i qëndrueshëm i Transmetuesit Publik.

“Ne kemi shqetësime shumë serioze për mungesë të financimit të qëndrueshëm. Këtë vit buxheti i RTK-së është shkurtuar dhe është ndër më të ulëtit në dekadën e fundit”, tha Kusari.

Megjithatë, në këtë konferencë u tha se gjatë punimeve dyditore me gazetarë, ata kanë shprehur shqetësimet e tyre për mos transparencë nga qeveria aktuale.

Payol Szalai nga “Reporterët pa kufi”, deklaroi se Kosova është e vendosur e 81-ta në rangim dhe kjo lidhet me mungesën e drejtësisë për sulmet ndaj gazetarëve dhe ndëshkueshmërinë.

“Kjo shpjegohet me këto sulme kur thuhen nga politikanët e krijon një klimë të pasigurt që mund të çojë te kërcënimet fizike dhe kanosje”, tha Szlai.

 “Nga diskutimet me gazetarë kemi kuptuar që ky është një fenomen i ri dhe ka nevojë për intensitet dhe tani po përshkallëzohet me disa gazetarë që i kanë përshkruar institucionet publike si të mbyllura drejt medieve dhe gazetarëve”, tha Roberta Traveri nga gazeta “Artikulli.

“Duhet të jenë vigjilentë dhe të përmirësohen këto nga qeveria”.

Pavarësisht progresit të rëndësishëm në këto fusha, siguria e gazetarëve, mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve vazhdojnë të paraqesin sfida për peizazhin e përgjithshëm të lirisë së medies.

Përderisa sulmet fizike mbeten të rralla, kërcënimet serioze janë dokumentuar vitin e fundit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u tha ndër të tjera në këtë konferencë.


MË SHUME NGA Kosovë