Fushata “Happy Online” jep udhëzime për sigurinë e fëmijëve në internet
BKT
Kosovë

Fushata “Happy Online” jep udhëzime për sigurinë e fëmijëve në internet

Sh.Gashi / RTKlive

Qeveria e Kosovës dhe partnerët e saj kanë lansuar fushatën e quajtur “Happy Online”, për t`i mbajtur fëmijët të sigurt në internet.

Qëllimi i kësaj fushate është që t'i informojë dhe t'i mësojë prindërit për atë që duhet të shqetësohen dhe si t'i mbajnë fëmijët e tyre të sigurt, duke zhvilluar biseda, duke ditur  parametrat e sigurisë dhe duke i trajtuar në qasje të drejtë dhe të sigurt.

Për këshilla dhe sigurinë e fëmijëve online, tashmë janë në shërbim edhe kanalet e fushatës “Happy Online” në rrjetet sociale.

Në programin e mëngjesit në RTK lidhur me këtë fushatë ka folur Behar Haziraj, zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme. 

“Mbrojtja e fëmijëve është obligim qytetar i secilit prej nesh e në veçanti e jona si institucione që merremi drejtpërdrejt me këtë çështje. Ne, si Ministri e Punëve të Brendshme jemi baza kryesore për hartimin dhe zbatimin e politikave të sigurisë në Kosovë. Natyrisht  me shfaqjen e fenomenit  të ekstremizmit të dhunshëm, ne e kemi bërë një vlerësim paraprak për të parë se cilat janë nevojat dhe kemi identifikuar planet konkrete në parandalimin e përfshirjes së të rinjve tonë në këtë fenomen", ka theksuar Haziraj.

Sipas tij në bazë të vlerësimit fillestar është dashur edhe një ekspertizë e jashtme për të parë mënyrën se si janë ballafaquar shtetet tjera në luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. 

"Me këtë rast kemi marrë mbështetje nga Ambasada amerikane në Prishtinë përmes fondeve të Departamentit të Shtetit, të cilët e kanë kontraktuar qendrën Hydai, e cila është qendra kryesore ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, tha tutje ai.

Ai theksoi se bashkë me ekipin e përzgjedhur nga Hydai janë hulumtuar e zgjedhur format më të mira për parandalimin e këtij fenomeni.

“Qendra Hydai ka përzgjedhur një ekip ekspertësht britanik, me të cilët i kemi diskutuar të gjitha detajet dhe nevojat se cilat janë format më të mira që ne të komunikojmë dhe të japim udhëzimet se si të parandalojmë sidomos ektremizimin e dhunshëm  në kuadër të kësaj. Në bazë të të gjitha vlerësimeve që i kemi bërë, kemi ardhur ne përfundim se duhet të shkojmë me një fushatë  përmes udhëzimeve të qarta se duhet të kemi kujdes në internet, ku në fokus të veçantë janë prindërit. Baza kryesore e fushatës udhëzuese për prindërit është mënyra se si ata t'i kontrollojnë fëmijët e tyre dhe si t'i udhëzojnë fëmijët për përdorim të internetin“, u shpreh Haziraj.

Ai ka thënë se prindërit duhet të jenë më të vetëdijshëm për rreziqet e shumta që paraqiten në internet duke filluar nga dhuna, pornografia, vetëvrasja, radikalizmi e deri te ekstremizmi dhe sipas tij kjo fushatë u përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre se si t'i mbrojnë fëmijët e tyre në internet.

Për më shumë ndiqeni videon:


MË SHUME NGA Kosovë