“Ujku i nëntorit” lëvizë trupat e FSK-së
J.Musliu/RTKlive
Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të kryejë lëvizje të trupave. Në këtë lëvizje, përfshihen edhe mjete të ndryshme ushtarake.
Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes deklaron se lëvizja e pjesëtarëve të FSK-së dhe mjeteve të motorizuara do të ndodhë gjatë periudhës kohore 18-29 nëntor 2022.
Kjo lëvizje e trupave dhe makinerisë së FSK-së në konvoje ushtarake, do të përfshijë të gjitha kazermat e saj, kurse drejtimi do të jetë drejt zonës së stërvitjes në Babaj të Bokës të komunës së Gjakovës.
“Lëvizja e trupave të FSK-së do jetë në funksion të realizimit të stërvitjes fushore “Ujku i Nëntorit”, deklaron Ministria e Mbrojtjes.
Sipas këtij dikasteri, kjo stërvitje bëhet sipas planit vjetor stërvitor, me qëllim të testimit në proces të validimit të aftësive dhe kapaciteteve të njësive të FSK-së, në detyrat e tyre në bazë të misionit.























