Kurti falënderon Estoninë për mbështetje në integrimet euroatlantike
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Kosovë

Kurti falënderon Estoninë për mbështetje në integrimet euroatlantike

Fadil Sertolli / RTKlive

Në vizitën e tij zyrtare në Estoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Kryetari i Parlamentit Republikës së Estonisë, Jüri Ratas.

Përmes një komunikate për media thuhet se në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyeshme, u diskutua për çështje të rëndësishme për sigurinë e përbashkët, si dhe për fushat e bashkëpunimit që forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Estonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike të vendit tonë, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Ai theksoi reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme, progresin e arritur në ekonomi dhe përmirësimet në indikatorët demokratik në vend.

U bisedua për rëndësinë e solidaritetit me shtetin edhe popullin ukrainas, si dhe u theksuan pasojat nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se u fol edhe për ndikimin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrezikun që paraqet për sigurinë kolektive të Evropës dhe vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, Kryeministri Kurti po ashtu u prit në takim nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

Ndryshe, pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, që po shoqërojnë Kryeministrin Kurti në këtë vizitë zyrtare, janë edhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.​


MË SHUME NGA Kosovë