Shumë fëmijë në vend punojnë rrugëve |Video
Elmina Osmani / RTK
Shumë fëmijë nuk kanë mundësinë të shkojnë në shkollë për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme ndaj të cilave ekspozohen. Në ditën botërore të të drejtave të fëmijëve, qendra ditore për fëmijët në situatë rruge organizoi një program me aktivitete.
Rruga është përditshmëri e fëmijëve të cilët çdo ditë shihen në udhëkryqe të Prishtinës duke kryer punë nga të cilat sigurojnë ekzistencën. Ka shumë fëmijë në rrugë të ndryshme të Kosovës e të cilët objektet shkollore i shikojnë vetëm nga larg, pasi nuk i ndjekin mësimet.
Përtej vështirësive nëpër të cilat kalojnë, ata megjithatë nuk kanë humbur dëshirat për një jetë më të mirë. E pikërisht sot në ditën botërore të të drejtave të fëmijëve, qendra ditore për fëmijët në situatë rruge organizoi një program me aktivitete me moton “Le të dëgjojë bota dëshirat dhe kërkesat tona”.
Për pak çaste, shumë prej fëmijëve që punojnë rrugëve iu bashkuan këtij aktiviteti për të shprehur ëndrrat e dëshirat e tyre.
Egzona Gashi, Koordinatorja, e qendrës foli për aktivitetet që organizohen për fëmijët në situatë rruge, ajo tha se qëllimi i aktivitetit është të adresohen dhe të sensibilizohet popullata mbi nevojat dëshirat e fëmijëve .
"Qëllimi i aktivitetit është të adresohen dhe të sensibilizohet popullata mbi nevojat dëshirat e fëmijëve ku me këtë ditë provojmë të jemi në moton të gjithë së bashku shpalosim dhe ti realizojmë dëshirat e gjithsecilit".
Në këtë aktivitet u prezantuan edhe piktura të realizuara nga vetë fëmijët ku nëpërmjet tyre u adresua e drejta e shkollimit, edukimit, shëndetit dhe mirëqenies së familjes në përgjithësi.























