Ministri Sveçla viziton veriun e vendit, lavdëron policinë|Foto
BKT
Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Kosovë

Ministri Sveçla viziton veriun e vendit, lavdëron policinë|Foto

J.Musliu/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, përkatësisht në Jarinjë e Bërnjak.

Këto dy pika kufitare ndajnë Kosovën dhe Serbinë. Ai njoftoi se bashkë me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, përveç pikave kufitare, ka vizituar edhe stacionet e policisë kufitare në Jasenovik dhe Koshtovë.

“Nga kjo vizitë pash motivim të nivelit më të lartë tek zyrtarët policor të cilët në koordinim me të gjitha institucionet e sigurisë, me përkushtim po vazhdojnë angazhimet e tyre të përditshme që të ofrojnë rend, siguri dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Ai tha se angazhimi i pakursyer institucional dhe siguria, vazhdojnë të mbeten prioritete të Kosovës duke garantuar kështu sundim të ligjit dhe paqe të qëndrueshme në vend.

Vizita e ministrit Sveçla bëhet dy ditë para se të fillojë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e qytetarëve që vazhdojnë të bartin në automjetet e tyre, targa ilegale, KM në vend të atyre legale, RKS.

Në anën tjetër, sot gjithashtu në Mitrovicën e Veriut, ka qëndruar shefi i EULEX-it dhe komandanti i KFOR-it.


MË SHUME NGA Kosovë